Escobar thotë se Serbia nuk është tema më e vështirë e tij, tregon cilin vend e sheh me shqetësim

Gabriel Escobar, i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Joe Biden, gjatë një qëndrimi në Kroaci ku po merr pjesë në forumin amerikano-kroat, ka folur edhe për problemet në rajon. Ai ka thënë se nuk e sheh si mundësi që lufta e Ukrainës të përhapet edhe në rajonin e Ballkanit.

Escobar në një bisedë për mediat kroate, ka thënë se lufta në Ukrainë ka çuar vendet kandidate për në BE që të “tregojnë në mënyrë proaktive solidaritet” me vlerat perëndimore. Ai madje ka thënë se Serbia dënoi pushtimin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në fillim të marsit, që sipas tij paraqet një “ndryshim sizmik”.

Escobar tha se Serbia nuk është tema më e vështirë për të cilën ai flet me vendet e tjera fqinje, sepse ai ‘titull’ i përket Bosnje e Hecergovinës.

Si ta tërheqim Serbinë drejt vlerave perëndimore

Shtetet e Bashkuara dhe Serbia kanë një marrëdhënie 140-vjeçare dhe Beogradi ka qenë “një partner i ngushtë” me Uashingtonin gjatë gjithë kohës, për shembull në dy luftëra botërore, tha ai.

“Sot shtrohet pyetja se si të tërhiqet Serbia në demokracitë perëndimore, ndër të cilat “ka qenë gjithmonë dhe vend që i takon”, theksoi Escobar, duke shtuar se procesi i integrimit u ngadalësua gjatë qeverisjes së Sllobodan Millosheviqit.

I dërguari amerikan beson se “gjenerata e ardhshme e serbëve” do të jetë më e prirur për Evropën dhe si dëshmi ai deklaroi se “votojnë me këmbë” duke emigruar në Evropë dhe SHBA, e jo në Kinë dhe Rusi.

BiH ka një problem me korrupsionin

Escobar beson se në Bosnje nuk është problemi etnik, por korrupsioni, që sipas tij është sfida më e madhe në Ballkanin Perëndimor dhe një vend ku “premtimet perëndimore janë përmbushur më pak”.

Escobar e konsideron vendimtare krijimin e një qeverie funksionale në BiH që do të luftojë korrupsionin, do të tërheqë investime dhe do të krijojë kushte për të rinjtë, por theksoi se BiH është një shtet sovran dhe se vullneti politik duhet të vijë nga brenda.

“Ne duhet t’i inkurajojmë ata, por është përgjegjësia e tyre për të gjetur zgjidhje,” tha ai për liderët politikë atje.

Escobar i cili ka për detyrë edhe mbikëqyrjen e dialogut Kosovë-Serbi, në atë sa kanë raportuar mediat kroate, nuk e ka përmendur fare Kosovën. Megjithatë, në një intervistë të para disa jave, të dhënë për Gazetën Online Reporteri.net, kishte kërkuar që sa më shpejtë të bëhet e mundur gjetja e një marrëveshje Kosovë-Serbi, pasi sipas tij, status quoja është e dëmshme.