Escobar: SHBA mbështetësja më e madhe e Kosovës në botë, duam që propozimi të funksionojë për të

Amerikanët e mbështesin fuqishëm propozimin evropian dhe emisari Escobar e sheh këtë si mundësi të jashtëzakonshme për paqe në rajon. Ai thotë se SHBA-ja si mbështetësja më e madhe në botë e Kosovës, ka për qëllim që ky propozim të funksionojë për Kosovën.

Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndron në Prishtinë, një ditë para takimit mes kreyministrit, Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuciq, në Ohër të Maqedonisë Veriore.

“Ky propozim evropian i lehtësuar përmes dialogut të BE-së mundëson një mundësi të jashtëzakonshme për paqe dhe të qëndrueshme mes dy vendeve të rëndësishme të rajonit. Si mbështetësja më e madhe e Kosovës në botë, ne kemi qëllim që kjo të funksionojë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën por tërë rajonin që të zhbllokohen disa prej atyre burimeve që Ballkani ia siguron vetes por edhe krejt Evropës”, ka thënë Escobari pas takimit të sotëm me presidenten Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se pret rezultate të mira nga takimi i nesërm në Ohër.

“Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër, jam shumë optimist për mundësitë për një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Shpresoj se pas së shtunës do të kemi lajme të mira”, ka thënë Escobar.