Escobar: SHBA mbështet fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se mbështesin pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, por mënyra e zgjidhjes së çështjes me Serbinë duhet t’i lihet dialogut.

Në një konferencë për medie, Escobar tha se në fund të procesit të dialogut duhet të jetë një zgjidhje e mirë për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë.

“Kjo administratë e ShBA-së mbështet fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës. Përtej kësaj, se si Kosova dhe Serbia arrijnë zgjidhje duhet t’i lihet dialogut. Në fund të këtij procesi shpresojmë se rezultat do të jetë një zgjidhje e mirë si për Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Kam besim se do të arrijmë atje”, tha ai.