Escobar i ashpër: Asociacioni nuk varet nga Kurti, a pret Kosova për integrim deri kur kryeministri t’i zbatojë obligimet?

Emisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka dhënë një mesazh të ashpër në një intervistë për gazetën austriake, Die Presse.

Ai ka folur rreth tensioneve të fundit në pjesën veriore dhe kërkesës së Serbisë për formimin e Asociacionit.

Për Asociacionin, Escobar ka thënë se kjo nuk është një temë ndërmjet Kurtit dhe Serbisë, por ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Nacionale.

“Nuk varet nga ai. Kjo nuk është çështje mes Kurtit dhe Serbisë. Kjo është një çështje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe nëse nuk do Kurti, ky asociacion do të vijë. Pyetja është: a dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore?”, ka deklaruar Escobar.

Escobar ka ritheksuar se Asociacioni nuk do të jetë një Republika Srspka, por që është një obligim ndërkombëtar të cilin Kosova e ka marrë mbi vete.

“Kjo nuk do të jetë një republikë e re serbe si Bosnja dhe Hercegovina. Themelimi i Asociacionit Serb të Komunave në Kosovë është një angazhim ndërkombëtar, ligjërisht i detyrueshëm. Ato përmenden në Marrëveshjen e Brukselit, Konkluzionet e Këshillit Evropian dhe Marrëveshjen e Ohrit. Dhe ka gjithashtu një angazhim të SHBA për këtë. Pra, Asociacioni Serb i Komunave duhet të vijë. Pyetja është: si do të duket? Nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Serbe si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron. Na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan. Ne jemi duke pritur. Kosova duhet të lëvizë menjëherë këtu dhe të na japë një projekt-marrëveshje. Sepse Marrëveshja e Ohrit varet shumë nga krijimi i asociacionit të komunave”, ka deklaruar më tutje Escobar.

Escobar ka folur edhe për sanksionet e fundit të vendosura ndaj Kosovës, por edhe për raportet me Beogradin zyrtar.

“Ka një ndryshim të madh në marrëdhëniet tona me Serbinë dhe Kosovën. Tradicionalisht, Kosova ka lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara – dhe ne i dëshirojmë ato gjithashtu. I themi Kosovës: asociacioni i komunave nuk është koncesion ndaj Serbisë. Bëhet fjalë për mënyrën se si Kosova e trajton grupin e saj etnik serb. Nga këndvështrimi ynë, mosgatishmëria e Prishtinës për të lëvizur këtu tregon mungesën e vullnetit për t’u përpjekur për pajtim me vendin tonë”, deklaroi Escobar.

Escobar dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka pasur një takim deri në orët e vona mbrëmë me kryeministrin Kurti.

Aty kanë përmendur kërkesat e tyre që situata të qetësohet menjëherë në veri dhe të organizohen zgjedhjet e reja.

Kurti në anën tjetër, ka deklaruar se fillimisht bandat duhet të largohen, e më pas të ulet numri i policëve.