Erolld Musliu emërohet drejtor i Agjencisë së Zbulimit të Maqedonisë Veriore

Nga burime brenda Presidencës, Alsat mëson se është firmosur vendimi që për Drejtor të Agjencisë së Zbulimit të emërohet Erolld Musliu.

Nga të njëjtat burime gjithashtu bëhet e ditur se Blerim Kollari është emëruar për këshilltar sigurie, i cili në kabinetin e Pendarovskit vjen pas 12 viteve përvojë pune në Misionin e NATO-s në Shkup.

Goce Karajanov, këshilltar për politikë të jashtme. Karajanov është djali i Stojan Karajanovit, ish-ambasador i Maqedonisë në Shqipëri dhe Kosovë. Biljana Radeva, këshilltare për marrëdhënie me publikun, nga viti 2011 punonte në Ambasadën e Britanisë në Shkup si udhëheqëse e shërbimit për komunikim dhe diplomaci digjitale.

Këshilltare në kabinetin e presidentit për marrëdhënie me personat me aftësi të kufizuara do të jetë Luljeta Ademi, sekretar i përgjithshëm do të jetë tanimë ish zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski. Profesori i Fakultetit juridik, Aleksandar Spasovski është emëruar këshilltar politik.

Pendarovski në kabinetin e tij ka angazhuar edhe disa bashkëpunëtor të jashtëm: ish diplomati, Denko Maleski; ish gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, Mirjana Lazarova-Trajkovska; profesoresha e UEJL-it Besa Arifi si dhe ish ministrin Aleksandar Dimitrov dhe ambasadorin në pension, Aleksandar Tavçiovski.