Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka uruar Aleksandar Vuçiqin dhe SNS-në e tij për fitoren në zgjedhjet e mbajtura së fundmi në Serbi.

Siç njoftoi Shërbimi për Bashkëpunim me Media të Presidentit të Serbisë, Erdogan ishte ndër të parët që i dërgoi një mesazh urimi Vuçiqit.

“I nderuar President, i nderuar mik, në emër të popullit tim dhe në emrin tim, ju përgëzoj sinqerisht për suksesin që keni arritur në zgjedhjet e mbajtura të dielën më 17 dhjetor, me dëshirën që rezultatet e zgjedhjeve t’i sjellin të mira Serbisë. Rezultatet e zgjedhjeve konfirmuan edhe një herë se populli vlerëson gjithçka që bëni vazhdimisht për mirëqenien dhe zhvillimin e vendit tuaj. Miqësia e fortë dhe bashkëpunimi i sinqertë që kemi zhvilluar me Shkëlqesinë Tuaj do të na mundësojë të forcojmë më tej marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë dhe Serbisë. Jam i bindur se në këtë periudhë të vështirë dhe të ndjeshme që po kalon e gjithë bota, bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal. Besoj se vizita ime në Beograd, të cilën do ta bëj në periudhën e ardhshme, do të forcojë më tej marrëdhëniet tona dhe se do të jetë një mundësi për të diskutuar gjerësisht për tema dypalëshe dhe rajonale. Shfrytëzoj rastin të përsëris urimet e mia për shëndet të mirë dhe lumturi dhe t’i uroj paqe dhe prosperitet popullit mik të Serbisë”, thuhet në urimin e Presidentit Erdogan.

Edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka uruar Vuçiqin për fitoren e tij në zgjedhje.

Aliyev e uroi presidentin Vuçiq për mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe për fitoren e sigurt të koalicionit lider të të cilit është Vuçiq.

“Rezultatet e votimit pasqyrojnë qartë vlerësimin dhe mbështetjen e lartë të popullit tuaj për politikën që zbatoni për zhvillimin dhe prosperitetin e Serbisë, si dhe besimin e madh tek ju. Marrëdhëniet tona me Serbinë, një vend mik dhe një partner i besueshëm, janë të një rëndësie të veçantë për ne. Ne jemi shumë të kënaqur me nivelin aktual të marrëdhënieve tona ndërshtetërore të bazuara në besimin dhe mbështetjen e ndërsjellë dhe bashkëpunimin efektiv në fusha të ndryshme, i cili po zgjerohet dita-ditës. Dialogu aktiv politik mes nesh luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta. Jam i sigurt se do të vazhdojmë me sukses përpjekjet tona të përbashkëta për të forcuar dhe thelluar më tej marrëdhëniet speciale azerbajxhano-serbe dhe partneritetin strategjik në përputhje me vullnetin e popujve tanë. Ju uroj shëndet, lumturi dhe suksese të reja në aktivitetet tuaja të përgjegjshme në dobi të popullit mik të Serbisë”, thuhet në urimin e presidentit Aliyev. /Vijesti