Erdogan: Turqia nuk synon tokat e asnjë shteti, përmend edhe Ballkanin

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është shprehur se “Turqia nuk synon tokën e asnjë shteti”.

“Turqia nuk ka në synim tokën e asnjë shteti. Ajo gjithashtu nuk synon liritë apo interesat e një shoqërie. Kjo duhet të dihet si e tillë sepse një akuzë të tillë ne e konsiderojmë si ofendimin më të madh ndaj nesh. Ne mbrojmë të drejtën, ligjin dhe të ardhmen tonë dhe të vëllezërve tanë që i vërejmë si një pjesë të pandarë”, është shprehur presidenti Erdoğan për operacionin “Burimi i Paqes” gjatë një fjalimi të mbajtur në seancën e veçantë të “TRT World Forum” që filloi në Qendrën e Kongreseve në Stamboll me temën “Kriza e Globalizimit: Reziqet dhe Mundësitë”.

“E çfarë qëllimi mund të ketë një popull i cili në të kaluarën e tij asnjëherë nuk është turpëruar me kolonializime, masakra dhe shkatërrime?”, shtroi pyetjen Erdoğan, duke shtuar se “çdokush mund të gjendet në Siri, Irak, Afganistan, Libi, Afrikë, Ballkan me qëllime të tjera. Turqia është atje vetëm për shkak të unitetit të fatit që ka me vëllezërit e saj. Ky është një virtyt i madh që nuk mund ta kuptojnë ata që “një pikë nafte e shohin më të vlefshme se sa një pikë gjaku”.

“Gjatë periudhës 17-18 vjeçare të detyrës tonë dhe si Republikë e Turqisë asnjëherë nuk jemi ulur dhe nuk do të ulemi në tryezë me një organizatë terroriste. Në të njëjtën mënyrë do ta vazhdojmë këtë. Të tjerë mund të ulen, nuk na intereson, por kjo në të njëjtën kohë është shumë e rëndësishme për të treguar se në cilën pikë ka ardhur politika ndërkombëtare, ligji i luftës dhe lufta kundër terrorizmit”, tha presidenti Erdoğan.

Ai gjithashtu theksoi se nuk mund të flitet në njërën anë kundër terrorizmit dhe në anën tjetër “të llastoni terroristët”.

“Madje një llastim i tillë ku aktualisht në veri të Sirisë janë futur 30 mijë maune me armë e municionie dhe si mund ta shpjegojnë këtë ata të cilët shprehin se ‘unë jam më i forti në botë’. Këtë nuk mund ta shpjegojnë me asnjë qasje demokratike sepse kjo nuk është e shkruar në asnjë demokraci”, tha Erdoğan, i cili ka vënë në dukje që pa bërë dallime do të vazhdojnë t’i emërtojnë me emrat e tyre të vërtetë terroristët, persekutorët dhe mizorët.

“I gjithë perëndimi, qëndruan në krah të terroristëve dhe së bashku na sulmuan. Përfshirë vendet e NATO-s dhe vendet e Bashkimit Evropian. Ju sikur ishit kundër terrorit, terrorizmit, që kur keni filluar të veproni bashkë me terrorizmin?”, pyeti gjithashtu presidenti Erdoğan, duke bërë thirrje për ristrukturimin e institucioneve kryesore të sistemit global, përfshirë këtu edhe Kombet e Bashkuara (OKB). /AA/

loading…