Marrëveshja

Erdogan thotë se Moska do t’i rikthehet marrëveshjes së grurit – Putin kërkon heqjen e sanksioneve

Pas 3 orësh në Sochi të Rusisë ka përfunduar takimi mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologut rus, Vladimir Putin.

Në një konferencë për media të transmetuar nga televizioni shtetëror turk “TRT”, Erdogan theksoi se Moska është e gatshme të rifillojë marrëveshjen për grurin.

“Ne kemi përgatitur disa propozime së bashku me OKB-në. Besoj se me këtë proces do të arrijmë të marrim rezultate pozitive në një kohë të shkurtër”.

Ndërkaq për Putinin, takimi me Erdogan ishte i suksesshëm.

“Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë po zhvillohen me sukses në të gjitha fushat dhe në të gjitha drejtimet. Takimi ishte i suksesshëm”.

Ai shtoi se  “do të kthehemi te marrëveshja për grurin nëse hiqen sanksionet ndaj eksporteve ruse”.

Konkretisht Putin u shpreh se Rusia “është e gatshme të kthehet në marrëveshjen e grurit”, por vetëm kur homologët të zbatojnë pikat që parashikojnë heqjen e pengesave për eksportet ruse të grurit dhe plehrave.

Po ashtu presidenti rus u shpreh se furnizimi me grurë në Afrikë nëpërmjet Turqisë dhe Katarit, nuk ishte një alternativë.

Në gusht, e përditshmja gjermane Bild kishte raportuar se qeveritë e Rusisë, Turqisë dhe Katarit po përgatisnin një marrëveshje të re për eksportet e grurit, pas përfundimit të marrëveshjes së drithit nga Moska.

Putin pranoi se tubacionet e gazit të Rusisë drejt Turqisë janë nën sulm të vazhdueshëm.

Të dy krerët diskutuan një zgjidhje për të përmirësuar furnizimin me gaz, përveç diskutimit të mënyrës për të ringjallur marrëveshjen e eksportit të grurit të Detit të Zi.

Pse Rusia u largua nga marrëveshja e grurit?

Kremlin-i refuzoi të rinovojë marrëveshjen e grurit rreth gjashtë javë më parë.

Marrëveshja – e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia në korrik 2022 – kishte lejuar afro 33 milionë tonë drithë dhe mallra të tjera të largoheshin në mënyrë të sigurt nga tre porte të Ukrainës, pavarësisht pushtimit nga Rusia.

Megjithatë, Rusia u tërhoq pasi pretendoi se një marrëveshje paralele që premtonte për të hequr pengesat ndaj eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave nuk ishte respektuar.

Ajo u ankua gjithashtu se kufizimet në transportin dhe sigurimet penguan tregtinë e saj bujqësore, edhe pse ajo ka dërguar sasi rekord gruri që nga viti i kaluar.

Pse është Turqia një ndërmjetës?

Që kur Putini u tërhoq nga nisma, Erdogan është zotuar vazhdimisht të rinovojë marrëveshjet që ndihmuan në shmangien e një krize ushqimore në pjesë të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u takua të premten në Moskë me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, duke thënë në një konferencë në kryeqytetin rus të enjten se ringjallja e marrëveshjes ishte e rëndësishme për botën.

Ukraina dhe Rusia janë furnizuesit kryesorë të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe mallrave të tjera në të cilat mbështeten vendet në zhvillim.

Erdogan ka mbajtur lidhje të ngushta me Putin-in gjatë luftës 18-mujore në Ukrainë.

Turqia nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pas pushtimit të saj, duke u shfaqur si një partner kryesor tregtar dhe qendër logjistike për tregtinë e Rusisë jashtë shtetit.

Anëtari i NATO-s, Turqia, megjithatë, ka mbështetur gjithashtu Ukrainën, duke dërguar armë, duke takuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe duke mbështetur kërkesën e Kievit për t’u bashkuar me aleancën.

Cilat janë kërkesat e Rusisë?

Samiti i Sochi-t pason bisedimet midis ministrave të jashtëm rus dhe turk të enjten, gjatë të cilave Rusia dorëzoi një listë veprimesh që Perëndimi do të duhej të ndërmerrte për të rifilluar eksportet e Ukrainës në Detin e Zi.

Çmimet e grurit në SHBA u rritën të premten, një ditë pasi ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov tha se Moska nuk shihte asnjë shenjë se do të merrte garancitë e nevojshme për të ringjallur marrëveshjen e grurit.

Erdogan ka treguar simpati me pozicionin e Putin-it. Në korrik, ai tha se Putini kishte “pritshmëri të caktuara nga vendet perëndimore” mbi marrëveshjen dhe se ishte “e rëndësishme që këto vende të ndërmarrin veprime në këtë drejtim”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kohët e fundit i dërgoi Lavrov “propozime konkrete” që synojnë të çojnë eksportet ruse në tregjet globale dhe të lejojnë rifillimin e nismës së Detit të Zi. Por Lavrov tha se Moska nuk ishte e kënaqur me letrën.

Duke përshkruar përpjekjet “intensive” të Turqisë për të ringjallur marrëveshjen, Fidan tha se ishte një “proces që përpiqet të kuptojë më mirë pozicionin dhe kërkesat e Rusisë dhe t’i përmbushë ato”.