Erdogan s’e përfill Amerikën: S’bëjmë asnjë hap prapa nga marrëveshja S-400 me Rusinë

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij nuk do të tërhiqet nga marrëveshje raketore S-400 me Rusinë – duke sfiduar përsëri kërcënimet e SHBA-së.

Javën e kaluar, një zyrtar i lartë i Pentagonit ka thënë se pasojat do të jenë “shkatërruese” për programin e përbashkët të Turqisë të luftëtarëve F-35 dhe bashkëpunimin me NATO-n, nëse Turqia vazhdon me planet për të blerë sistemin rus të armëve anti-ajrore.

“Ka një marrëveshje. Ne jemi të vendosur– nuk diskutohet që të bëjmë asnjë hap prapa”, ka deklaruar Erdogan para gazetarëve në Stamboll, shkruan Al Jazeera.

Ai ka thënë gjithashtu se një ofertë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’ia shitur raketat Patriot Turqisë nuk ishte aq e mirë sa oferta ruse.

Raportet mes aleatëve të NATO-s janë tensionuar lidhur me vendimin e Ankarasë për të blerë sistemin raketor S-400 që Washingtoni thotë se mund të ndërhyjë në avionët luftarakë F-35 që Ankaraja po ashtu dëshiron t’i blejë.

Zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar Turqisë që t’i blinte raketat Patriot nga Washingtoni dhe jo S-400 nga Moska, duke argumentuar se kjo nuk është në përputhje me sistemet e armëve të NATO-s.

Ankaraja u përgjigj se ishte refuzimi i SHBA-ve për t’ia shitur raketat Patriot Turqisë çfarë edhe bëri që të kërkonin shitës tjetër duke shtuar se Rusia ka ofruar një ofertë më të mirë.