Erdogan premton ndërtimin e 488,000 shtëpive për të prekurit nga tërmeti

Presidenti i Turqisë është zotuar të rindërtojë rajonin jugor të vendit, të goditur muajin e kaluar nga tërmetet e fuqishme që ua morën jetën më shumë se 46,104 njerëzve.

“Sot, ndërsa lëmë pas javën e katërt që nga tërmetet, ne shohim më qartë përmasat e fatkeqësisë që përjetuam dhe ndjejmë dhimbjen e humbjeve tona më thellë”, ka thënë Recep Tayyip Erdogan pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Më 6 shkurt, tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 goditën 11 provinca – Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Elazig, Hatay, Gaziantep, Kahramanmaras, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.

Më shumë se 13.5 milionë njerëz në Turqi janë prekur nga tërmetet shkatërruese, si dhe shumë të tjerë në Sirinë veriperëndimore.

“Qëllimi ynë është të fillojmë ndërtimin e 244,000 banesave dhe 75,000 shtëpive të fshatit në dy muajt e ardhshëm”, citohet të ketë thënë Erdogan, duke shtuar se ndërtimi i 22,000 prej tyre tashmë kishte filluar.

Kështu, një total prej 488,000 shtëpish të reja do të ndërtohen për viktimat e fatkeqësive në zonat e goditura nga tërmeti brenda një viti, ka shtuar ai.

Presidenti tha gjithashtu se 100,000 kontejnerë do të vendosen brenda dy muajsh në rajon për 500,000 të prekur nga tërmeti që të jetojnë në kushte më të mira.