Erdogan: Akademia e Nobelit po i shpërblen shkeljet e të drejtave të njeriut

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, e akuzoi të martën Akademinë Suedeze se po i shpërblen shkeljet e të drejtave të njeriut duke ia dhënë Çmimin Nobel për Letërsi shkrimtarit kundërthënës austriak, Peter Handke, i cili e kishte mbështetur ish-liderin famëkeq serb, Sllobodan Millosheviq.

Turqia ka thënë se do t’u bashkohet Kosovës, Shqipërisë dhe disa vendeve të tjera në bojkotimin e ceremonisë për ndarjen e Çmimit Nobel në shenjë proteste kundër dhënies së këtij çmimi për shkrimtarin austriak.

“Dhënia e Çmimit Nobel për Letërsi një racist, i cili e mohon gjenocidin në Bosnjë dhe i mbron kriminelët e luftës, më 10 dhjetor, në Ditën e të Drejtave të Njeriut, nuk do të ketë kuptim tjetër përpos të shpërblimit të shkeljeve të të drejtave të njeriut”, tha presidenti turk.

Handke kishte shprehur përkrahje për Millosheviqin dhe kishte mbajtur fjalim në funeralin e tij në vitin 2006, pas vdekjes së “kasapit të Ballkanit” në burgun e Hagës, ku po gjykohej për krime lufte.

Të premten, ky shkrimtar refuzoi të përgjigjet në pyetjet e lidhura me përkrahjen që ia kishte ofruar politikanit famëkeq. Të martën, ai do ta pranojë zyrtarisht çmimin që e ka vlerën e rreth 840 mijë eurove, ndonëse kjo ceremoni do të bojkotohet nga disa shtete, shkruan “Reuters”.