Era heq pullazin e Gjykatës Themelore në Graçanicë, bie mbi Shtëpinë e pleqve
Si pasojë e erës fuqishme ka rënë konstruksioni i pullazit të ndërtesës së porsandërtuar të Gjykatës Themelore të Graçanicës.
Konstruksioni ka rënë mbi objektin aty pranë të Shtëpisë së Pleqve dhe lagjen e kontejnerëve, por për fat nuk ka të lënduar.
Shërbimi komunal për ndërhyrje emergjente ka ndërhyrë me shpejtësi duke ia dalë të evakuojë shfrytëzuesit e Shtëpisë së Pleqve dhe banorët e rrezikuar të lagjes së kontejnerëve, objektet e të cilëve janë dëmtuar.
Konstruksioni i pullazit të rrëzuar ka shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Kryetari i Komunës së Graçanicës, Sërgjan Popoviq, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes, u ka bërë thirrje organeve përkatëse që të përcaktojnë përgjegjësinë.