Partitë e djathta evropiane e kanë zgjedhur europarlamentarin gjerman, Manfred Weber, që t’i udhëheq ato drejt fushatës së re elektorale të vitit të ardhshëm në Evropë, duke i dhënë atij një shtytje të madhe për postin më të fuqishëm në Bashkimin Evropian.

Weber, një aleat i kancelares gjermane Angela Merkel, ka fituar mbështetjen e 79.2 për qind të delegatëve të Partisë Popullore Evropiane (EPP), të pranishëm në takimin në Helsinki, duke mposhtur kështu me lehtësi ish-kryeministrin finlandez, Alexander Stubb, i cili fitoi rreth 20 për qind të votave.

Nëse EPP-ja ruan pozicionin e saj si grupi më i madh në Parlamentin Evropian pas zgjedhjeve të majit 2019, Weber është pretendent për të garuar edhe për kreun e Komisionit Evropian, që aktualisht kryesohet nga Jean-Claude Juncker.

Përkundër kësaj, sondazhet parashikojnë se EPP-ja do të humbasë shumicën, nën presionin e populistëve nga të dyja krahët, por udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së, të cilët do të kenë fjalën e fundit, mund të vendosin të mos emërojnë një kandidat partiak në fund të fundit.

Po ashtu, në lojë janë edhe vendet për të udhëhequr Këshillin Evropian, që përfaqëson qeveritë kombëtare: Parlamentin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane, si dhe politikën e jashtme, post që aktualisht mbahet nga Federica Mogherini, e cila po e udhëheq edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.