Epopeja e UÇK-së shënohet me ndeshje vëllazërore futbollistike mes FSK-se dhe FARSH-it

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në Kampin Nacional në Hajvali u zhvillua ndeshja vëllazërore futbollistike ndërmjet ekipeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).

Bëhet e ditur se me këtë rast të veçantë festiv, edhe përmes sportit u shënua “Epopeja e UÇK-së”, në kujtim të Jasharëve legjendarë dhe të gjithë të rënëve për lirinë e kombit dhe atdheut.

Në këtë aktivitet mori pjesë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Dalina Osmani, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi si dhe zyrtarë dhe oficerë të shumtë, njoftojnë nga Minsitria e Mbrojtjes.

Të pranishëm nga FARSH ishte komandanti Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade, Ilir Xhebexhiu, si dhe gjeneralë dhe ushtarakë të tjerë.

Ndeshja në mes ekipeve përfaqësuese të të dyja vendeve u zhvillua në atmosferë vëllazërore, përfundimi i së cilës u kurorëzua me ndarjen e kupave, medaljeve, dhuratave dhe mirënjohjeve për më të mirët nga ana e ministrit Mehaj, Gjeneral Jasharit e Gjeneral Xhebexhiut.