Enver Robelli kritikon Albin Kurtin: Nuk e tha asnjë fjalë për vrasjen e Xhemail Mustafës

Gazetari kosovar, Enver Robelli, ka drejtuar kritika në adresë të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Enver Hoxhajt të PDK-së dhe ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, pasi që asnjëri nuk e kanë bërë asnjë reagim me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së Xhemail Mustafës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka akuzuar të tre për heshtje ndaj një krimi të tillë dhe sipas tij një gjë e tillë dëshmon hipokrizinë e madhe të tre politikanëve.

“Sot ishte 20 vjetori i vrasjes së Xhemail Mustafës. Nuk thanë asnjë fjalë për këtë krim: Albin Kurti, Enver Hoxhaj, Ramush Haradinaj. Me rëndësi që të gjithë angazhohen për «shtetin e të drejtës», «sundim të ligjit» dhe për hipokrizinë kolosale. Natyrisht angazhohen edhe për «vlera europiane». Këtu hyn edhe heshtja për krime, me gjasë. Për ndriçim të krimeve as që bëhet fjalë”, ka shkruar Robelli.

Të hënën janë bërë 20 vjet prej vrasjes së gazetarit Xhemail Mustafa i cili kishte qenë një prej njerëzve që kishte këshilluar Ibrahim Rugovën.