Enver Petrovci për herë të parë merr çmim nga Qeveria e Kosovës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka nderuar me çmimin për vepër jetësore në fushën e teatrit për vitin 2020 aktorin Enver Petrovcin.

Çmimi për shfaqjen më të mirë i’u dha shfaqjes “Zgjimi i pranverës”, për regjinë më të mirë shfaqjes “Kthimi i Karl May”, ndërsa çmimi për aktorin më të mirë iu nda Armend Ismajlit.

Çmimi për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar i është dhënë shtëpisë filmike ART.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku tha se juria profesionale dhe e pavarur ka kryer punën e saj në mënyrën e duhur.

Çeku tha se do t’i japin një rëndësi të veçantë teatrit dhe organizimeve që prodhojnë veprimtari teatrale, me qëllim të rritjes së cilësisë.

“Nuk ka qenë proces i lehtë me aq sa kam kuptuar. Ka pasur mjaft nominime cilësore, por është një numër i caktuar i çmimeve që ndahen, por e mira është që këto janë çmime tradicionale vjetore dhe ne si ministri dhe qeveri, po tentojmë me e kry një pjesë të detyrimit që e kemi ndaj komunitetit teatror të Kosovës, i cili për dekada me radhë ka qenë pararojë e shoqërisë tonë, me premisën që teatri është reflektimi më i saktë i aspiratave të një shoqërie”, tha ai.

Aktori Enver Petrovci tha se ky është çmimi i parë që ka marrë nga institucionet e Kosovës, teksa kujtoi se ka marrë shumë çmime të tjera artistike që kryesisht i ka falur. Teksa shtoi se çmimi më i madh për të mbetet një buqetë me lule nga një luleshitëse në Tiranë.

Ai tha se është penduar që ka refuzuar një çmim nga institucionet e Shqipërisë, me arsyen se e kishte vlerësuar të jetë me karakter komunist.

“Ky është njëkohësisht çmimi i parë në jetën time që më jep qeveria kosovare… Kam marrë shumë çmime, do i kam falur, do janë nëpër bufe, nëpër bufetë e Prishtinës. Çmimin më të madh që unë e kam ndje dhe e kam shkruar në libër, është kur shkova në pazar në Tiranë të blejë patate. Erdh një vajzë e re 12 vjeçare, tha: ‘z. Enver, unë ju adhuroj, prindërit e mi ju adhurojnë, po du me ta falë një buqetë me lule’… E tash dita e dytë është kjo, kam mendu se më kanë harru shqiptarët”, tha ai.

Kurse, anëtari i jurisë Ben Apolloni tha se procesi i përzgjedhjes ka shkuar shumë mirë, teksa shtoi se ka qenë e rëndësishme që të vlerësojnë ata që kanë punuar në kohë pandemie.

Me rastin e ndarjes së këtyre çmimeve, me kërkesë të aktorit Astrit Kabashi u vendos që nga viti i ardhshëm të ndahet edhe çmimi për aktoren më të mirë.

“Nëse ka mundësi, vitet e ardhshme me u shqyrtu kjo mundësi, le të jetë edhe për aktoren më të mirë, se po iu hyjmë në hak aktoreve femra”, tha ai.