Enver Hoxhaj mbron shefin, thotë se qëllimi është dëmtimi i imazhit të Kadri Veselit

Nënkryetari i parë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka thënë se kjo konferencë është thirrur për ta denoncuar, siç e quan Hoxhaj, aktivitetin kriminal, bazuar në një video të disa të dyshuarve e cila është shpërndarë dhe ku përmendet emri i Kadri Veselit për marrjen e 200 mije eurove.

“Arsyeja e kësaj konference për shtyp, për neve si PDK është shumë i rëndësishëm, që ngjarja e ndodhur mos të anashkalohet dhe rasti të zbardhet komplet”, tha Hoxhaj.

Videoja e publikuar në rastin e fajdeve ku janë përshirë pesë persona, në mesin e tyre Ismet Osmani i njohur si “Curri” përmendet se 200 mijë janë kërkuar nga krue i PDK-së Kadri Veseli.

Nënkryetari i parë i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se ky rast është mbyllur ende pa mbaruar hetimet.

“Ky rast i kësaj videoje është mbyllur ende pa mbaruar hetimet, jo për shkak të provave, pasi që provat janë të bollshme por duket se disa akterë të tjerë po e pengojnë këtë gjë”, shtoi Hoxhaj.

Fajin për këtë linçim të Veselit, Hoxhaj ua la edhe mediave.

“Pa dashur të komentoj tendencat dhe manipulimet që dalin nëpër media për të dëmtuar imazhin e Kadri Veselit, dua të theksoj që kjo nuk mund t’i bëj dëm kryeparlamentarit”, shtoi Hoxhaj.

Tutje Hoxhaj ka thënë se në vitin 2014, Xhavit Haliti e ka paditur vetë Rrahim Hashimin, pasi e ka lajmëruar rastin në polici për shkak të disa SMS-ve anonim.

“Duke marrë parasysh se ky rast ka ndodhur në vitin 2013, ndërsa shfaqet për publikun në vitin 2019, shihet se ka një tendencë ndaj partisë dhe Kadri Veselit. Nuk duhet të merremi me ngjarjet që nuk kanë të bëjnë fare me Partinë Demokratike të Kosovës. Personat që po i permendni nuk kanë asnjë farë lidhje me PDK-në”, ka thënë Hoxhaj. /Ballkani.info/