Enver Hasani ankesë disiplinore ndaj prokurores Drita Hajdari

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka dërguar ankesë disiplinore në Gjykatën Speciale kundër prokurores Drita Peci-Hajdari, për siç thotë ai, sjelljeve jo-etike dhe jo-profesionale të prokurores, dhe siç e ka cilësuar Hasani, “për cenim të rëndë të Kodit të Etikës”.

“Prokurorja Hajdari, në vitin 2015, pas marrjes së çështjes penale nga prokurorët ndërkombëtarë të EULEX-it, të cilët nuk kishin gjetur asnjë bazë për nisje të procedurave penale ndaj autorit të kësaj parashtrese, pa asnjë veprim procedural shtesë ka “zgjeruar hetimin” edhe ndaj autorit. Kjo prokurore këtë e ka bërë ditën që në krye të Prokurorisë së Shtetit erdhi Aleksandër Lumezi, më datë 14 prill 2015”, shkruan Hasani.

Po të njëjtën ditë, sqaron Hasani, prokurori Blerim Isufi kishte nisur hetimet për “falsifikim nënshkrimi”.

Hasani, kujton kallëzimin penal që ka bërë më herët ndaj Kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezit, prokurorit tjetër Blerim Isufaj dhe zvkryeprokurorit të Shtetit, Sevdije Morina. Për këtë kallëzim penal, Hasani thotë se ende s’ka marrë asnjë përgjigje por shpreson të marrë së shpejti.

Hasani, në ankesën e tij, akuzon prokuroren Hajdari për komentim të vendimeve gjyqësore nëpër emisione televizive, siç thotë Hasani “po keqinformon brutalisht opinionin kosovar”. Hasani, në ankesën e tij për Hajdarin, thotë se si parashtrues i ankesës “është persekutuar pa asnjë arsye dhe pa asnjë bazë ligjore”.

Hasani, në fund të ankesës së tij thotë se pas përfundimi të hetimit disiplinor ndaj prokurores Hajdari, t’i shqiptohet masë e rreptë disiplinore për “shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale për Prokurorë”.



loading…