Profesori

Enver Hasani: Marrëveshja është kontratë e re e Albin Kurtit me serbët lokalë për autonominë e tyre

Për takimet e së enjtes me krerë shtetesh në Bruksel, nga ku kryeministri Albin Kurti u shpreh i gatshëm për ta nënshkruar marrëveshjen, ka folur profesori Enver Hasani.

Profesori Hasani tregoi se zhvillimet në Bruksel nënkuptojnë se kemi të bëjmë me një kontratë të re të kryeministrit Albin Kurti, për autonominë e tyre.

“Çështja e parë është çfarë bëhet fjalë, këtu duhet kuptuar se ajo që quhet Asociacion i takon historisë, çështja e formimit të Asociacionit ka relevancë vetëm sa i përket anës procedurale për ta dërgu instrumentin e vetmenaxhimit në Gjykatë Kushtetuese për të dhënë lejen për formimin e autonomisë politiko-territoriale dhe kulturore të serbëve lokalë. Marrëveshja e Ohrit është kontratë e re e Albin Kurtit me serbët lokalë, sa i përket formimit të autonomisë, nuk flitet për mekanizma të tjerë të cilët kanë ekzistu në marrëveshjet paraprake sepse ato nuk kanë substancë”.

“Tani është e qartë që kjo substancë është e sanksionuar me një kontratë të re që është lidhë në Bruksel dhe në Ohër. E them se është kontratë e re sepse serbët lokalë kanë munguar në pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008, tani ata kanë fitu një kontratë të re për autonominë e tyre e cila do të operojë jashtë rendit kushtetues të Kosovës që është kriju me 17 shkurt 2008”, tha Hasani në A2 CNN.