Enver Hasani i reagon Shpend Ahmetit pasi kërkoi ndryshime kushtetuese

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri thirrje për ndryshime kushtetuese për të qartësuar disa nene, pasi siç tha ai, askush nuk ka marr iniciativë për të ndryshuar “vendimet absurde të Enver Hasanit & Co”.

Për këtë ka reaguar, Enver Hasani, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se nuk i shkon një kryetari të komune të përdorë terma pezhorativ ndaj një kryetari të respektuar kushtetues.

Hasani përmes një reagimi, tha se vendimet e Kushtetueses kanë përmbysur konjukturat e atyre që humbin zgjedhjet, duke mos i lënë të njëjtit që nëpër kafe e restorante të Prishtinës të themelojnë institucione e të rrëzojnë qeveri të zgjedhura me votën e lirë të qytetarëve të vendit.

Tutje, reagimi i plot i Enver Hasanit:

Në një prononcim për ju, zt. Shpend Ahmeti paska përmendur emrin tim në një kontekst shumë pezhorativ. Nuk shkon që një kryetar komune, pa marrë parasysh bazën fiktive elektorale që ka, të ofendoj të tjerët duke i cilësuar ata si “Enver Hasani & Co”. Nuk ka asnjë kuptim një fyerje si kjo. Nuk kam qenë ndërmarrje private “Enver Hasani & Co”, asnjëherë në jetën time, por kryetar i një organi të respektuar kushtetues që nga dita e parë e themelimit. Kjo është e para që duhet ta dijë kryetari i Prishtinës, ani se me një bazë fiktive elektorale. E dyta që duhet ta dijë ai dhe çdokush është se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të v. 2014, të njohura si VLAN I dhe VLAN II, kanë zbatuar me besnikëri germën dhe frymën e Kushtetutës së Kosovës, që ka një qeverisje parlamentare dhe me sistem proporcional zgjedhor, i tipit konsociacional. Ato dy vendime fituesit të zgjedhjeve në Kosovë i japin përparësi sepse i ka dhënë kushtetutë-bërësi, jo ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Ato vendime kanë përmbysur konjukturat e atyre që humbin zgjedhjet, duke mos i lënë të njëjtit që nëpër kafe e restorante të Prishtinës të themelojnë institucione e të rrëzojnë qeveri të zgjedhura me votën e lirë të qytetarëve të vendit. Tani, megjithatë, as Shpendi e askush nuk ka më pse merret me to sepse ato i takojnë historisë: i pari aktgjykim që rrëzoi Albin Kurtin ka prishur standardin kushtetues të fituesit të zgjedhjeve. I dyti, ndërkaq, ka rrënuar përfundimisht të drejtën e votës individuale sepse më nuk ekziston garancioni kushtetues nga neni 45 i Kushtetutës. Mjafton të jesh i dënuar në komunikacion dhe i “lave duart”!
Me respekt. Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese.