Enver Hasani: Albini nuk ka të drejtë të kandidojë për deputet

Ish-Kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, tha se Aktgjykimi është siç e ka pritur dhe kryetari i VV’së, Albin Kurti nuk mund të kandidojë për deputet.

Gjykata Kushtetuese sot ka publikuar aktgjykimin e plotë, sipas së cilit, shpall të vlefshme ankesën që ia çoi Lëvizja Vetëvendosje, pasi deputeti Etem Arifi, që ishte dënuar me formë të prerë, mori pjesë në votimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.

Sipas profesorit universitar Enver Hasani, pas Aktgjykimit të plotë të Kushtetueses askush nuk mund të kandidiojë për deputet që është i dënuar me formë të prerë të Gjykatës.

“Aktgjykimi është ashtu siç kam thënë dhe siç është pritur. Asgjë e re. Do të thotë Albin Kurti nuk mund të kandidoj për deputet sipas pjesës dispozitive të Aktgjykimit dhe paragrafit nr. 260 si dhe askush tjetër që ka dënim për fajësi penale të formës së prerë”, ka thënë Hasani në pyetjen e Express se a ka të drejtë ish-kryeministri Kurti të kandidojë për deputet në zgjedhjet e ardhshme.

Paragrafi 260 në Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese i përbërë nga pikat a dhe b thotë se personat e dënuar për vepra penale me vendime gjyqësore të formës së prerë të vlefshme në Republikën e Kosovës, të mos mund të kandidohen e as të zgjidhen si deputet, nëse janë dënuar gjatë tri viteve të fundit para zgjedhjeve dhe të mos mund të ushtrojnë mandatin e deputetit nëse janë të dënuar me një apo më tepër vite burgim, me një vendim gjyqësor të formës së prerë të vlefshëm në Republikën e Kosovës.

Paragrafi 260 i Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese

Çështja lidhur me kushtetushmërinë e votimit të Qeverisë Hoti u dërgua në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak se për këtë qeveri më 3 qershor kishte votuar Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se një vit burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese konstaton se për shkak që vota e Arifit ishte e pavlefshme, Qeveria Hoti nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht 61 vota.

Kësisoj, Kushtetueseja thotë se presidenti i Republikës duhet të shpallë zgjedhjet e reja të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga dita e shpalljes së tyre.