Nga Prizreni

Entuziazmohet Enver Hoxhaj: Partitë tjera janë ishuj, PDK është kontinent

E kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përsëri e quajti Prizrenin Jerusalem të PDK-së, ndërsa garantoi zgjedhje demokratike, ekonomi të lirë të tregut modern gjatë qeverisjes së tyre.

Ai në hapjen e procesit të brendshëm zgjedhor të PDK-së në Prizren, kritikoi qeverisjen aktuale të kësaj komune për keqqeverisje, ndërsa premtoi se pas ministrit Kujtim Gashi, kjo parti do të ketë edhe ministra tjerë nga Prizreni.

I pari i PDK-së po ashtu, u zotua se do ta mbështesin komunën e Prizrenit edhe nëse nuk është në qeverisjen e tyre.

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se zgjedhjet e brendshme partiake synojnë fuqizimin e kësaj partie. Ndërkaq, për partitë tjera tha se janë ‘ishuj’, në krahasim me partinë e tyre, të cilën e quajti ‘kontinent’. Partive të tjera, Hoxhaj me ironi u tha: “Merrni frymë, relaks, mos e merrni veten me të keq, pini ujë”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi u shpreh i bindur se pas zgjedhjeve të brendshme, PDK do të fuqizohet dhe se Kadri Veseli do të bëhet kryeministër. Pa këtë të fundit, ai tha se nuk mund të ketë integrime evropiane.

Ndërsa zëdhënësi i PDK-së në Prizren, Samir Hoxha, u zotua për një proces zgjedhor demokratik dhe transparent. Ai tha se qeverisja aktuale e Prizrenit i ka nëpërkëmbur kërkesat e qytetarëve dhe tha se PDK nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

Përndryshe, para katër ditësh PDK ka hapur Konventën zgjedhore të kësaj partie në Prishtinë.