Engel: Është shokuese se si askush nuk është dënuar për krimet në Kosovë

Kongresisti amerikan, derisa ka folur për Gjykatën për Drejtësi, ka thënë se është shokuese se si askush deri sot nuk është dënuar për krimet dhe dhunën seksuale në Kosovë.

“Është shokuese se si askush nuk është dënuar për shumë krime e dhunë në Kosovë”, tha ai.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë evropianë mund të kishin bërë më shumë presion për drejtësi për viktimat e brutalitetit të Millosheviqit. Mirëpo për pjesën më të madhe ne kemi dështuar në këtë drejtim. Sikur të mos mjaftonte kjo, sipas mendimit tim, SHBA-ja ka shtyrë Kosovën që të krijojë të ashtuquajturën Gjykatë Speciale për të adresuar pretendimet për vepra të kryera nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë ai.

Kjo gjykatë është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në atë raport thuhet që krimet gjoja se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Engel e ka konsideruar një situatë të tillë të pabalancuar dhe është zotuar se Komiteti që drejton ai “do të monitorojë këtë gjykatë prej së afërmi për të parë nëse do të ndëshkohen të gjithë kryesit e krimeve të pretenduara nën juridiksionin e saj dhe jo vetëm shqiptarët”.

Në Kongres po raporton edhe Ilir Bytyçi, vëllai i Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçit që u vranë mizorisht nga forcat serbe në vitin 1999.

Ai ndër të tjera ka thënë se Serbia nuk po bashkëpunon fare rreth këtyre rasteve me Kosovën.