Engel: Është koha që Serbia ta njeh Kosovën, pavarësia e saj nuk është e kthyeshme

Kongresisti amerikan, Eliot Engel, ka deklaruar se është koha që Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës.

Engel duke folur në seancën dëgjimore e kongresit amerikan për rekomandimet për Ballkan, ka folur për Kosovën dhe situatën e saj në çfarë po kalon si shtet.

Kongresisti amerikan ka thënë se Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe se kjo pavarësi nuk është e kthyeshme, pasi Kosovën e kanë njohur shumica e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

“Është koha që Serbia ta njeh pavarësinë e Kosovës, ta njeh faktin që kjo pavarësi nuk është e kthyeshme, sepse shumë anëtare të Kombeve të Bashkuara tashmë e kanë njohur këtë vend”, tha Engel.

Engel ka thënë po ashtu se është krenar që Amerika bëri ndërhyrjen në vitin 1999 në Kosovë, ku ndali gjenocidin që Serbia po kryente mbi kosovarët, ku shumë vrasje, dhunime e zhdukje të trupave kanë ndodhur nga ushtria serbe.

“Jam shumë krenar për atë që kemi bërë në vitin 1999, kemi ndaluar gjenocidin dhe për këtë duhet të jemi krenar, aq shumë njerëz janë vrarë, dhunuar, zhdukur gjatë luftës në Kosovë, drejtësia akoma ka punë për të bërë, mbetet edhe shumë rrugë për t’u bërë nga drejtësia, si gjetja e varrezave masive”, tha Engel.

Engel po ashtu tha se nuk është i kënaqur me drejtësinë që po bëhet nga Gjykata Speciale, pasi po akuzohet vetëm një popull dhe një etni.

Po ashtu, kongresisti amerikan bëri thirrje që të hetohen krimet e kryera nga Serbia në Kosovë ndaj popullit të saj.