Enes Goga i përgjigjet akuzave të hoxhës Drilon Gashi

Enes Goga, kreu i Bashkësisë Islame në Pejë, është lidhur drejtpërdrejt në emisionin Pressing të Televizionit 7, për t’iu kundërpërgjigjur hoxhë Drilon Gashit, që tha se Goga në vitin 2000 ka përkthyer libër që influencon radikalizmin.

Goga ka pranuar që këtë libër e ka përkthyer sa ishte student në Medinë, ndërsa thotë se hoxhën Drilon Gashi do ta padisë për shpifje.

“Mua po me vjen keq për këtë akuza që po i banë ky. Mua po me nxjerr punë që nesër të ngriti padi ndaj tij”, ka thënë Goga në lidhje direkte.

Kryeimami i Pejës tutje thotë Bashkësia Islame e ka përjashtuar hoxhë Drilon Gashin se ka dalë jashtë kornizave të kuranit.

“Zotëri në fjalë përmes qëndrimeve të tij në rrjete sociale ka dalë nga fryma e Kuranit. Është në disporcion të plotë me kuranin dhe me profetin Muhamed. Krejt këto qëndrime kanë pas ndikim të madh edhe te xhemati”, është shprehur Goga.

“Fryma e këtij zotëriut është një frymë që kurrë nuk është shfaqur nga asnjë hoxhë apo imam në Kosovë”, ka shtuar ai.

Më herët, Gashi në Pressing ka shpalosur pikëpamjet e tij për shkencën dhe për religjionin. Ka thënë se e pranon teorinë e evolucionit dhe se nuk mendon që nga shamia e nga mbajtja e mjekrës definohet se a je besimtar i devotshëm apo jo.

Hoxha nga Peja, Drilon Gashi, nuk ka dashur shumë të flas pas fjalëve që i ka thënë Goga në Pressing.

“ Unë jam i gatshëm që të kërkojë falje nëse kam gabuar ndokund. Por, unë nuk kam gabuar dhe do të vazhdojë t’i mbaj qëndrimet e mija”, ka thënë Gashi.

Hoxha ka treguar se Enes Goga herën e fundit e ka quajtur edhe qafir.