Endrit Shala inspekton marketet, thotë se do merren masa ndaj atyre që nuk zbatojnë ligjin për flamujt

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë të ditur se ka udhëruar inspektim në qendrat tregtare dhe markete në Kosovë, për të parë nëse është duke u zbatuar ligji për mbrojtjen e konsumatorit.

Shala ka bërë të ditur se ky angazhim po bëhet edhe pas raporteve alarmante që në disa markete flamujt të cilët Ministria e Tregtisë ka urdhëruar të vendosen pranë për të përcaktuar origjinën e produkteve, janë duke u ndërruar.

”Dua t’ju njoftoj që me qëllim të zbatimit me përpikshmëri për mbrojtjen e ligjit dhe konsumatorëve nga sot kam kërkuar nga Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë edhe inspektimin në markete”.

”Kjo me qëllim që ta shohim se sa është duke u zbatuar ligji për mbrojtjen e konsumatorit me rastin e vendosjes së flamurit në pikat e shitjes për origjinën e produkteve”.

”Inspektorati nuk do të jetë më tolerant më në asnjë subjekt. Secila pikë shitëse e cila vërteton se nuk ka respektuar ndonjë ligj, inspektorati do t’i marr masat e parapara me ligj”.

”Ky nen i këtij ligji ka hyrë në fuqi nga 29 dhjetori i vitit të kaluar por që për shkak të festave të fundvitit kemi bërë disa lëshime”.

”Këtë muaj e kemi shfrytëzuar si muaj vetëdijësues në të gjitha qendrat e Republikës së Kosovës”.