Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja e kanë harmonizuar tekstin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti përmes një postimi në Facebook.

Ai ka thënë se gjatë ditës së sotme është takuar edhe me deputetët Ilir Deda e Mimoza Kusari.

“Sot me LVV-në kemi harmonizuar tekstin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë. Sot jam takuar edhe me përfaqësuesen e Grupit Parlamentar të PSD-së dhe deputetin Ilir Deda, si dhe kam komunikuar me deputeten Mimoza Kusari Lila, për të diskutuar mocionin. Në cilësinë e Kryetarit të Grupit më të madh Parlamentar në Kuvend, i ftoj të gjitha grupet parlamentare dhe deputetët e pavarur të mbështesin mocionin”, ka shkruar ai.

Këto veprime të VV-së dhe LDK-së vijnë ani pse opozita nuk i ka siguruar votat për rrëzimin e Qeverisë.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha sot në një konferencë për media se opozita aktualisht ka 58 vota për rrëzimin e Qeverisë, tri më pak nga se është e mjaftueshme që ky mocion të kalojë.