​Ende nuk dihet shkaktari i zjarrit në Elkos, kompania paralajmëron ndërtimin e objektit të ri

Ende nuk dihen rrethanat e shkaktuara për zjarrin e madh që kaploi të shtunën Depon e Importit të kompanisë “Elkos Center” në Pejë.

Mirëpo, ajo që dihet deri më tash është se nga zjarri i madh, rreth 35 milionë euro janë dëmet në “Elkos”.

Menaxheri i kësaj kompanie, Petrit Selmanaj deklaron se fatmirësisht nuk ka pasur punonjës brenda objektit në kohën kur është kapluar nga zjarri. Derisa ka thënë se punëtorët e kësaj depoje do të zhvendosen në sektorë të tjerë të kompanisë.

Selmanaj thotë se janë duke u bërë hetime nga organet kompetente për të mësuar shkakun e zjarrit.

Ai paralajmëroi se shumë shpejtë pritet ndërtimi i një objekti të ri.

“Sipas vlerësimeve të para, sepse ende vlerësimet definitive nuk kanë përfunduar, llogaritet rreth 35 milion euro…Janë duke u bërë hetimet dhe vlerësimet prej organeve kompetente dhe ende nuk mund të dalim me një komunikatë të sakte se nga është ardhur. Do të kuptohet me kohë, pas përfundimit të hetimeve… Sigurisht se pritet të ndërtohet (objekti) edhe më i mirë se që ka qenë, porse mbetet në vazhdim”, tha Selmanaj.

Në kohën kur ka kapluar zjarri, menaxheri i kësaj kompanie tha se nuk ka pasur punëtorë në kompani gjatë asaj kohe, mirëpo sipas tij, kanë qenë disa punëtor të kompanive të ndryshme, porse edhe ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Realisht, punonjës të kompanisë Elkos nuk ka pasur, sepse orari fillon në orën 09:00 deri në 17:00. Ndërsa, zjarri dyshohet se ka filluar rreth orës 08:15, ndërsa në 08:30 veç e ka kryer pjesën dërmuese të djegies. Mirëpo, kanë qenë disa punëtorë të kompanive ndërtimore që janë afër, me çka ata atë ditë janë trajtuar në spital dhe brenda ditës janë liruar në shtëpitë e tyre”, thotë ai.

Sa i përket anës financiare, ai tha se “Elkos” është në gjendje të mirë dhe nuk ka rrezik në këtë aspekt.

“Kompania Elkos është në gjendje të mirë financiare. Edhe punëtorët do të sistemohen në vende tjera deri të rregullohet objekti i ri, nuk ka asnjë problem në atë aspekt…Me ç ‘rast i siguron edhe kompanitë furnitorë që janë, çdo obligim nuk është problem për kompaninë”, tha Selmanaj.

“Elkos” është kapluar nga zjarri mëngjesin e së shtunës. Nga Policia kanë thënë se zjarri ka qenë i përmasave të mëdha.

Ndërkaq, nga Spitali i Pejës patën bërë të ditur të shtunën se tetë persona nuk kanë marrë lëndime të renda, porse janë helmuar nga zjarri. Të njëjtit janë liruar atë ditë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.