termokos

Ende e pazgjidhur çështja e ngrohjes për banesat e reja në Prishtinë

Ditët e ftohta të vjeshtës kanë alarmuar banorët që jetojnë në banesat e reja kolektive për shkak të problemit me ngrohje. Në mungesë të kyqjes në rrjetin e ngrohjes së Termokos-it, ata detyrohen të gjejnë alternativa tjera për t’u ngrohur.

Kjo pasi shumica e objekteve të reja banesore nuk janë të kyçura në rrjetin e Termokosit, duke u përjashtuar kështu nga mundësia e ngrohjes me avull.E problemi bëhet më i madh kur ka reduktime të energjisë elektrike, pasi që shumica e banorëve të komplekseve të reja përdorin rrymën për ngrohje.Reduktimet e fundit të KEDS-it kanë shqetësuar Emin Halitin, banor i lagjes Mati 1. Fakti se radiatorët e kompleksit ku ai jeton nuk janë të kyçur në sistemin e ngrohjes me avull, e kanë shtyrë atë që të instalojë sistemin e ngrohjes me rrymë.Por ai thotë se as kjo nuk shërben si zgjidhje adekuate.Edhe banori i rrugës “B”, Haki Tahirukaj, shprehet i pakënaqur që kjo pjesë e qytetit nuk gëzon ngrohjen me avull.

Ai ka treguar për KosovaPress se kanë marrë premtime disa herë se kjo çështje do të zgjidhet, derisa shpreh edhe shqetësimet e tij në rast se KEDS do të vazhdojë me reduktime të rrymës. Ndërkohë që thotë se paguajnë shumë shtrenjtë për energjinë e shpenzuar.

Ndërsa është zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka, që thotë se kërkesat për t’u furnizuar me ngrohjen me avull nga Termokos janë aq të larta, sa që kjo sipas saj është e pamundur për me kapacitetet që aktualisht kanë në dispozicion.

Megjithatë, ajo shprehet e bindur se për banorët e kësaj zone, ky do të jetë dimri i fundit pa ngrohjen me avull, pasi që thotë se në pranverën e vitit që po vjen komplekset përgjatë rrugës kryesore do të kyçen në sistemin e ngrohjes termike të Termokosit. Por si duket për shkak të pamundësisë për t’i kyçur të gjithë, do të ketë kategorizime.Por, probleme me ngrohje kanë edhe banesat e vjetra në Breg të Diellit, afër përmendores “Enver Maloku”.

Ani pse e lidhur me Termokos, kjo pjesë e qytetit, nuk merr sasi të mjaftueshme të avullit për ngrohje.Njëri nga banorët e kësaj zone, njëherit magjistër i teknikës, Nijazi Tafilaj, shpjegon në detaje se ku qëndron problemi sipas tij.Ndërkaq, edhe ai, sikurse shumë familje të tjera, thotë se shfrytëzojnë energjinë elektrike për t’u ngrohur.Problemet me ngrohje në këtë pjesë i pohon Uka.

Ajo thotë se për shkak të ndaljes së papritur të energjisë elektrike, kanë pësuar një dëmtim të madh të rrjetit, gjë që siç thotë ajo ka çrregulluar në tërësi sistemin e ngrohjes për të gjithë konsumatorët.

Ndërsa, thekson se janë të përkushtuar që rikuperojnë sa më parë furnizimin me ngrohje.E për shkak të ankesave të qytetarëve për reduktime të rrymës, KosovaPress ka kontaktuar edhe KEDS-in, për të marrë një përgjigje për atë që po ndodhë për problemet që po iu shkaktohen qytetarëve për ngrohje.

Kështu, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala është përgjigjur se energjia elektrike nuk është e destinuar të përdoret për ngrohje./