Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ende nuk ka suspenduar asnjë nga shtatë policët për komunikimet që kishin pasur me tashmë të akuzuarin për narkotikë, armëmbajtje pa leje dhe njëkohësisht të dyshuar për dhunim, Shkodran Pulaj.
Përkundër se në intervistën e zhvilluar më 21 mars për emisionin “Ana më e errët e protagonistit Pulaj, dhunimi i të miturit?” kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, për “Betimi për Drejtësi” kishte deklaruar se për një pjesë të tyre ka bazë të mjaftueshme për suspendim, kjo ende nuk ka ndodhur.
Bazuar në ekzaminimin e telefonit të të akuzuarit Pulaj e të siguruar nga “Betimit për Drejtësi”, i njëjti kishte pasur komunikime me ish-shefin e Njësisë Anti-drogë në Prizren tash mbikëqyrës në Departamentin për Krime Ekonomike, Enver Bujarin, rreshterin Bashkim Luzha, hetuesin Agron Hoti, hetuesin Urim Kukaj dhe zyrtarin policor Nezir Pulaj.
“Për disa prej tyre mund të ketë bazë dhe mund të ketë masa shumë shpejtë mirëpo ne jemi në pritje të sqarojmë pjesën e veprimeve procedurale në procedurën penale për shkak se duhet të sqarohemi për elementet penale dhe mundësin e veprimeve të tjera bashkërisht me prokurorinë. Pjesa administrative apo disiplinore sigurisht që do të procedohet por ne fillimisht i shtjerrim të gjitha mundësit në procedurën penale pastaj veprojmë aty ku ne kemi kompetencë të drejtpërdrejtë dhe të pavarur në këtë rast ndaj institucioneve të tjera”, ka deklaruar Hodaj në emisionin e transmetuar më 13 prill.
Në një përgjigje me shkrim, nga IPK kanë thënë se deri tani kanë intervistuar të gjithë zyrtarët policorë në cilësinë e të dyshuarve, megjithatë ende nuk kanë marrë vendim se si do të veprohet me ta deri në fund të procesit.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, IPK ka intervistuar të gjithë zyrtarët policor të cilët kanë pasur biseda me Sh. P në cilësi të të dyshuarve sipas Autorizimit të Prokurorisë Themelore në Prizren. IPK-ja tani është duke analizuar deklarata e të dyshuarve dhe një pjese të materialit që ka pranuar nga PTH-Prizren dhe së shpejti do ti rekomandoj Drejtorit të PK-së se si të procedohet me zyrtaret policor deri në përfundim te hetimit”, kanë thënë nga IPK.
Në anën tjetër, Prokuroria nuk ka bërë kërkesë as për sekuestrimin e telefonave të tyre si veprim hetimor.
“Telefonat e zyrtarëve policor nuk janë sekuestruar sepse sipas Prokurorisë Themelore në Prizren ka kaluar një kohe e gjatë dhe nuk është parë si e nevojshme sekuestrimi i telefonave”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Për këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar përgjigje edhe nga prokurorja e rastit në Prizren, Ariana Shajkovci, mirëpo deri në momentin e publikimit të lajmit nuk është përgjigjur.
Ndryshe nga zyrtarët policorë që dyshohen të kenë pasur biseda inkriminiuese me Pulajn, u veprua me zyrtarët policorë ndaj të cilëve gjykatësi Artan Sejrani kishte ushtruar kallëzim penal me pretendimet për nxjerre të informacioneve, pasi “Betimi për Drejtësi” përmes emisionit “Shkodran Pulaj, protagonisti i pazarrllëqeve me gjykatës, prokurorë e policë”, tregoi se i njëjti po trajtonte aktakuzën për narkotikë ndaj Pulajt përkundër se kishte pasur komunikime me të.
Gjykatësi Artan Sejrani kishte ushtruar kallëzim penal ndaj Njësisë Anti drogë në Prizren me pretendimet për nxjerrje të informacioneve.
IPK me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë ka bërë konfiskimin e telefonave.
Situata me gjykatësin Sejrani me rastin e Pulajt, ishte vënë në sipërfaqe dhe ishin marrë masa pasi “Betimi për Drejtësi” kishte adresuar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prizren.
Për këtë, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prizren kishte dorëzuar kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës për hetim disiplinor.
“Betimi për Drejtësi” përmes transmetimit të tri serive ka shpërfaqur figurën e protagonistit, Shkodran Pulaj. /BetimipërDrejtësi







