Ende asnjë i arrestuar për rastin e gruas që vdiq në Dragash

Policia ka dhënë detaje lidhur me rastin ku në orët e para të së hënës vdiq një grua në fshatin Kuk të Dragashit.

Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar apo të dyshuar lidhur me ngjarjen.

Por, ashtu sikur në fillim organet e rendit potencojnë se trupi i viktimës dyshohet se ka shenja të dhunës.

“Pasi që e njëjta më herët e ka pas të raportuar një rast dhunë në familje dhe bazuar dhe në ankesën e një qytetari, nga policët hetues nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor Dragash, në konsultim me prokurorin dhe më pas me urdhër të prokurorit kujdestar është vendos që viktima të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim nga mjekët specialistë për të konstatuar shkakun e vdekjes. Në ora 12:30, mjeku kujdestar I QMF Brodosan, pas kontrollit dhe ekzaminimit fillestar në vendin e ngjarjes ka vërejtur se ne trupin e se ndjerës ka dyshime se ka shenja të dhunës. Me qëllim që të sqarimit të shkaktarit të vdekjes nga policia është hap rast “ Vdekje e dyshimtë””.

Policia thekson se sipas deklarimit të familjarëve e ndjera ka pasur probleme të shumta shëndetësore.

“Për këtë rast nuk ka pasur urdhër mbrojtës , sipas familjareve viktima ka pasur problem te shumta shëndetësore ( nuk ka qene në gjendje të kujdeset për vete, nuk ka mundur të lëvizë as për nevoja bazike dhe fiziologjike )”.

Organet e rendit konfirmojnë se ka qenë një rast i hapur për dhunë ndaj së ndjerës e cila ka qenë psikike.

“Bazuar në të dhënat e Policisë për këtë viktime ka qenë i hapur vetëm 1(një) rast I :Dhunës në familje” me datë 08.11.2022 dhe ky rast është proceduar në prokurori, raste tjera nuk ka pasur. Ashtu siç pohohet në kallëzimin penal të këtij rasti, dhuna e shkaktuar ndaj viktimës në atë kohë ka qenë në forme të dhunës psikike apo moskujdesit të duhur ndaj personit me nevoja te veçanta”.

Tutje theksohet se 67-vjeçarja nuk kishte familje të ngushtë dhe pas vdekjes së burrit ishte kthyer të jetonte në shtëpinë e vëllait.

“Ka qenë e martuar për 15 vite por pas vdekjes së bashkëshortit është kthyer në familjen e vëllait për te jetuar. Pas vdekjes se vëllait për të janë kujdesuar kunata ( gruaja e vëllait) dhe nipi”.