EMRAT| Qeveria emëron bordin e përkohshëm të “INFRAKOS”

Qeveria e Kosovës ka shkarkuar nga detyra në Bordin e drejtorëve në ndërmarrjen publike “Infrakos”, Afrim Mehmetajn, Selatin Retkocerin dhe Ilir Zhitinë.

Përmes një njoftimi nga Qeveria e Kosovës thuhet se arsyeja e shkarkimit të personave të lartcekur ka qenë për shkak se Bordi i ndërmarrjes ka ngecur në realizimin e objektivave afariste dhe Bordi ka bërë shkelje e të drejtave fiduciare.

“Bordi i Ndërmarrjes “Infrakos”, Sh. A, ka ngecur në realizimin e objektivave afariste. Meqenëse për këtë ngecje nuk ka shkaqe objektive që mund të merren parasysh, Qeveria konsideron se Bordi i Drejtorëve është duke bërë shkelje të drejtave financiare duke mos adresuar me efikasitetin e duhur morinë e problemeve me të cilat kjo ndërmarrje ballafaqohet”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ndërsa, krahas kësaj është emëruar Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Infrakos-it.

Kryesues i bordit është Dukagjin Kastrati, kurse Besarta Zuka, Shpend Gjugja dhe Genc Hundozi janë anëtarë të këtij bordi.

Kujtojmë se para më shumë se një jave, ka dhënë dorëheqje u.d e drejtorit ekzekutiv të “Infrakos”, Arjeta Fejza.