Nexhmi Mani 53 vjeçar dhe Gentian Mani 21 vjeçar, babë e bir, janë arrestuar të premten në fshatin Perpellac të Podujevës nga xhandarmëria serbe.

Demokracia.com, duke u bazuar në dëshmitë e familjarëve të tyre, ka raportuar ekskluzivisht se të njëjtit janë arrestuar derisa po punonin arën me traktor, i cili po ashtu u është konfiskuar nga xhandarmëria serbe.

Lidhur me rastin kanë shkruar edhe mediat serbe, të cilat raportojnë se Policia e Serbisë ka njoftuar për arrestimin e dy personave në rajonin e Kurshumlisë, inicialet e publikuara të të cilëve konfirmojnë se bëhet fjalë për Nexhmi Mani dhe Gentian Mani.

Lidhur me rastin, Demokracia.com ka kontaktuar me Komandantin e Stacionit Policor në Podujevë, Nijazi Jashari, i cili ka deklaruar se nuk ka informacione për këtë rast.

“Kur (janë arrestuar)?. Nuk kam informacione për këtë. Nuk kam asi informate. S’jam sot në punë.”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Po ashtu, nga Stacioni i Policisë në Podujevë kanë thënë se nuk mund të flasin për këtë çështje,

“Ne nuk mund të flasim për këtë”, kanë thënë nga Stacioni i Policisë në Podujevë.

Demokracia.com ka telefonuar edhe kryetarin e komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për të parë nëse është i informuar me rastin, por ai s’e ka hapur telefonin.

Ndërkaq, nga Zyra e Informimit të Policisë në Prishtinë nuk kanë kthyer ende përgjigje.

Demokracia.com ka marrë vesh se ata kanë kontaktuar familjen e tyre dhe ua kanë konfirmuar se aktualisht ndodhen në Serbi.

Rasti në polici është lajmëruar nga një familjar i tyre gjatë ditës së sotme, me të cilin ka komunikuar Demokracia.com, mirëpo i njëjti nuk ka shprehur gatishmëri të prononcohet rreth kësaj ngjarjeje.