I dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, raportohet se do të arrijë sonte në Prishtinë pas një vizite dyditore në Beograd.

Kështu shkruan mediumi serb Kossev, referuar në burime.

Peach gjatë dy ditëve të kaluara qëndroi për vizitë  në Beograd, ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe drejtorin e Zyrës për Kosovë, Petrar Petkoviq.

Tema e bisedës ishte situata e përgjithshme në rajon, por edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Vizita e tij në Beograd  pasoi menjëherë pas vizitës së të dërguarve specialë të BE-së dhe SHBA-së, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.

Peach pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Kosovës në Prishtinë dhe kjo do të jetë vizita e tij e parë zyrtare në vendin tonë si i dërguar në Ballkanin Perëndimor, që nga marrja e detyrës në fund të vitit të kaluar.