Prishtinë

Emisarët amerikanë për dialogun, Palmer e Grenell zbarkojnë në Prishtinë

Dy përfaqësuesit më të lartë amerikanë për çështje të Ballkanit Perëndimor dhe dialogut Kosovë-Serbi, do të qëndrojnë në Kosovë gjatë ditës së mërkurë.

Përveç vizitës së të dërguarit të posaçëm të presidentit të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, bëhet e ditur se në Kosovë do të qëndrojë edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer. Ndërkohë Presidenca mbrëmë e ka konfirmuar që Thaçi sot do të takohet vetëm me Grenellin.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovës, Philip Kosnett, lidhur me vizitën e dy përfaqësuesve të lartë amerikanë, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se mbështetja e SHBA-së, për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore.

“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën dhe Serbinë në procesin e dialogut kërkon punë ekipore: I dërguari i posaçëm presidencial Grenell dhe përfaqësuesi special i Departamentit të Shtetit Matt Palmer së bashku në Berlin. Të dy do të vizitojnë Kosovën”, ka shkruar Kosnett përderisa ka shpërndarë një fotografi të postuar në profilin e Ambasadës së SHBA-së në Gjermani, dhe ku të dy zyrtarët e lartë amerikanë shihen teksa bisedojmë me zyrtarët gjermanë për situatën në rajonin e Ballkanit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka emëruar Grenellin – ambasador i SHBA-së në Gjermani – të dërguar të posaçëm të administratës për dialogun Kosovë-Serbi, më 4 tetor.

Ky vendim është vlerësuar si befasues, pasi Departamenti amerikan i Shtetit, në fund të gushtit, ka emëruar diplomatin Mattheë Palmer të dërguar të posaçëm për Ballkanin, i cili është thënë se, mes tjerash, do të merret edhe me dialogun.

loading…