Trajneri 47 vjeçar

Emery krenar me paraqitjen e Arsenalit

Trajneri i Arsenalit, Unay Emery është ndarë i kënaqur me përgjigjën e skuadrës së tij në takimin ndaj Manchester Unitedit, veçanërisht kur u lënduan Rob Holding dhe Aaron Ramsey.

“The Gunners” kishin epërsinë në dy raste teksa shënuan me anë të Shkodran Mustafit dhe një autogoli të Marcos Rojo, por skuadra e Mourinhos reagoi dy herë shpejt duke baraspeshuar ndeshjen.

Arsenali tashmë është pa humbje në 20 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet, gjersa Emery ka zbuluar se lëndimi i mbrojtësit Holding është serioz, derisa ka paralajmëruar edhe rikthimin e kapitenit, Laurent Koscielny.

“Lëndimi i Holding ishte lajmi më i keq për ne, është një lëndim serioz në gju por duhet të presim edhe deklaratat e doktorëve. Pas lëndimit të tij dhe Ramseyt, e gjithë skuadra ishte më e përkushtuar për të pasur një paraqitje të mirë. Ky barazim nuk është më i miri por as më i keqi, jam krenar me performancën tonë përgjatë 90 minutave, ishim më afër golit të tretë por De Gea bëri disa pritje të mira. Koscielny është afër të rikthehet për të luajtur, po e mendojmë ndeshjen me Qarabagun të enjten e ardhshme si mundësi”, tregoi Emery.

Arsenali ndeshjen e rradhës në Premier League e zhvillon të shtunën në “Emirates” përballë Huddersfieldit.