Emërimi i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore nga Qeveria, reagon Haxhiu: Puro politik, pjesë e partizimit dhe politizimit të institucioneve

Qeveria e Kosovës të hënën, pas një viti e gjysmë ka vendosur që ta emërojë Bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësor, e për këtë ka reaguar deputeti Bekim Haxhiu.

Haxhiu ka akuzuar qeverinë se me emërimin e bordit të ri përveç se me vonesa të mëdha pas plotë një viti e gjysmë, në përbërje të këtij bordi ka njerëz të partisë në pushtet.

“Emërimi i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore me njerëz puro politik është pjesë e partizimit dhe politizimit të institucioneve të pavarura të cilat duhet të jenë profesionale më shumë se politike”, ka shkruar Haxhiu.

Duhet theksuar se emrat e propozuar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, janë: Dafina Gexha-Bunjaku nga Ministria e Shëndetësisë, Ahmet Ismaili e Klit Shala nga Ministria e Financave, Kastriot Meqa nga Oda e Mjekëve, Agreta Gecaj-Gashi nga SHSKUK-ja dhe Muhamedali Kodra nga Shoqata e Pacientëve.

Ndërsa që nga marsi i 2022’s, nuk kishte bord funksional.

Postimi i plotë:

Pas një viti e gjysmë më në fund Qeveria Kurti emëron Bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Emërimi i Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore me njerëz puro politik është pjesë e partizimit dhe politizimit të institucioneve të pavarura të cilat duhet të jenë profesionale më shumë se politike.
Dështakët që rritën listat e pritjes së pacientëve në SHSKUK nga 0 ditë në 1.5 e 2-3 vite po shpërblehen me pozita nga Qeveria Kurti.