Zëvendësdrejtori i Policisë në veri të vendit, Veton Elshani raportohet se ka deklaruar që pas sulmit në Bajnskë, ka pasur raste kur policët e dorëhequr kanë kërkuar rikthimin në punë.

Sipas “Expresit” ai ka thënë që kjo ka ndodhur kur ende nuk është dhënë vendimi për dorëheqje, dhe më pas, zyrtari policor ka kërkuar rikthimin në vendin e punës.

Po ashtu, Elshani raportohet se ka thënë që nuk janë befasi rastet e tilla.

“Pas rastit të Branjskës, ne kemi raste kur polici vjen i dorëhequr, që ende nuk ia kemi dhënë vendimin e dorëheqje, dhe kërkon kthimin në punë në vendin ku ka qenë dhe ne e kemi kthy. Konsiderojmë që ka filluar të normalizohet situata. Nuk është befasi që të kemi raste të tilla.” – ka deklaruar ai.