Elon Musk njofton ndryshimin rreth llogarive të verifikuara në Twitter

Shefi i Twitter, Elon Musk, ka njoftuar një ndryshim të veçorisë me pagesë të Twitter Blue të platformës së rrjeteve sociale.

Nga 15 prilli, vetëm abonentët e verifikuar do të kenë postime të rekomanduara për përdoruesit e tjerë dhe do të lejohen të votojnë në sondazhe.

Sipas rregullave, postimet nga llogaritë që nuk paguajnë nuk do të përfshihen në rrjedhën “For you” të cicërimave të rekomanduara.

Javën e kaluar, kompania tha se do të hiqte statusin e verifikuar të disa llogarive “të trashëguara”, të cilat datojnë para se Musk ta blente Twitterin.

Përdoruesit aktualisht paguajnë 7 dollarë në muaj për verifikimin e llogarisë me shenjën blu, e cila gjithashtu lejon qasjen në veçori shtesë.

Musk tha se ndryshimet ishin “e vetmja mënyrë realiste për të adresuar grupet e avancuara të AI-ve që po merrnin përsipër. Përndryshe është një betejë e pashpresë e humbur”.

“Votimi në poll-e do të kërkojë verifikim për të njëjtën arsye”, shtoi ai.

Në një postim të mëparshëm, Musk tha se verifikimi me pagesë rrit ndjeshëm koston e përdorimit të robotëve dhe e bën më të lehtë identifikimin e tyre.