Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Eliza Hoxha, ka kritikuar situatën institucionale në vend, duke thënë se mungesa e funksionalizimit të Kuvendit po pamundëson adresimin e problemeve dhe kërkesave të qytetarëve.

“Mikrofoni i mbyllur i Kuvendit dhe kuvendimi në rrugë. LVV e ka heshtur Kuvendin dhe, duke e bërë këtë, po e hesht popullin”, ka shkruar Hoxha.

Ajo ka thënë se, në mungesë të Kuvendit, përfaqësues të komunitetit të bujqve janë detyruar t’i adresojnë problemet e tyre para ndërtesës së Qeverisë dhe përballë Kuvendit.

Sipas Hoxhës, ndër problemet kryesore të bujqve janë vështirësitë me shitjen e prodhimeve, çmimet e ulëta të grurit dhe vonesat në subvencione.

Ajo ka theksuar se prodhuesit e grurit në Kosovë po përballen me çmime dukshëm më të ulëta sesa në vitet e kaluara, ndërsa kostoja e prodhimit është rritur. Hoxha ka ngritur shqetësime edhe për importin e grurit nga Serbia, duke kritikuar politikat e Qeverisë.

“Çfarë marrëzie të blesh grurë të vjetëruar nga rezervat e Serbisë, ndërsa gruri i sezonës i bujqve në Kosovë mbetet në stok”, ka shkruar ajo.

Hoxha ka kritikuar edhe vonesat në ndarjen e subvencioneve, duke thënë se kjo i rëndon financiarisht bujqit.

“Prandaj Kuvendi ka rëndësi. Sepse aty ndodh llogaridhënia për politikat e gabuara, për problemet e qytetarëve dhe për shpenzimin e taksave të tyre”, ka përfunduar deputetja e zgjedhur e PDK-së.