“Eliot Engel, mbrojtësi i çështjeve të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës”

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një mesazh urimi Eliot Engel, me rastin e zgjedhjes Kryetar i Komitetit të Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Populli shqiptar sheh në personalitetin Tuaj mbrojtësin më të spikatur të çështjeve të shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës për më shumë se tri dekada, merita për të cilat keni fituar mbështetjen e komunitetit shqiptaro-amerikan të New York-ut. Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, shpreh besimin në bashkëpunimin tonë të ngushtë në të ardhmen”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Ruçi, i dërgoi edhe një mesazh urimi Steny Hoyer, me rastin e zgjedhjes Kryetar i Grupit Demokrat të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Përvoja Juaj rreth tridhjetëvjeçare në Kongres si edhe kontributi Juaj i shquar në Grupin Demokrat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, janë garancia se nën lidershipin Tuaj, Grupi Demokrat do të kontribojë edhe më shumë që Dhoma e Përfaqësuesve tu shërbejë me besnikëri aspiratave dhe interesave të kombit amerikan si edhe zhvillimit, ruajtjes së paqes, garantimit të sigurisë dhe përpjekjeve të popujve për prosperitet e demokraci”, thuhet në letrën që Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i dërgon Kryetarit të Grupit Demokrat të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA, Steny Hoyer

Më tej Ruçi uroi edhe James E. Risch, me rastin e zgjedhjes Kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nën lidershipin Tuaj, Komiteti i Marrëdhënieve të Jashtme dhe Senati i ShBA-së do tu kontribojnë mbështetjes së zhvillimit, paqes, sigurisë dhe përpjekjeve të popujve për prosperitet, qytetërim e demokraci. Si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, shpreh besimin në bashkëpunimin tonë të ngushtë në të ardhmen.”, shkruan Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në letrën e urimit dërguar Kryetarit të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit të ShBA, James E. Risch.