“El Chapo” e kishte urdhëruar edhe vrasjen e familjarëve, donte që vrasja të bëhej me AK-47 të lyer me ar

Joaquin Guzman, i njohur si “El Chapo”, ishte një shef i pamëshirshëm kriminal, i cili kishte urdhëruar sulme edhe ndaj anëtarëve të familjes, me ç’rast parapëlqente që ata të sulmoheshin me një pistoletë të zbukuruar me diamante dhe me një AK-47 (të njohur si “kallashnikov”) të lyer me ar.

Ai vlerësohet se është trafikuesi më i madh i drogës, pas vdekjes së trafikuesit Pablo Escobar. Tash, ai po gjykohet në Nju Jork, pasi ishte arratisur dy herë nga burgjet e Meksikës. “El Chapo” do të përballet me 11 akuza, ku përfshihen akuza për trafikim, mbajtje të armëve të zjarrit pa leje dhe për pastrim parash. Tërë ky proces pritet të zgjasë mbi katër muaj.

Ai akuzohet për udhëheqjen e grupit kriminal “Sinaloa”, të cilin e ktheu në organizatën më të madhe kriminale në botë, dhe për përdorimit e ushtrisë së tij private për t’i eliminuar rivalët e tij. Besohet se ai në një rast i kishte vrarë dy anëtarë të një grupi rival, duke urdhëruar që ata të hidhen në gropa dhe të digjen.

Prokurorët amerikanë kanë punuar disa vjet me radhë që të sigurojnë prova të mjaftueshme për krimet e kryera nga ai. Ata besojnë se “El Chapo” duhet ta kalojë tërë jetën e tij në burg. Kundër tij, prokurorët tashmë kanë grumbulluar dëshmi prej 300 mijë faqesh dhe të paktën 117 mijë incizime. Disa dëshmitarë kanë thënë se ai fitonte deri 10 milionë dollar nga një dërgesë e vetme e kokainës, shkruan “Daily Mail”.