Vrasja e Ermal Kamberajt në Mitrovicë vitin e kaluar tronditi të gjithë Kosovën. Autori i saj, sipas policisë dyshohej të ishte Sadik Bajrami, i cili kishte ikur pas krimit në Belgjikë. Por, i dyshuari është ekstraduar sot nga atje.
Rasti i vrasjes që tronditi Mitrovicën, por edhe gjithë shtetin, ka një vit që nuk është kapur autori.
Ermal Kamberaj (24-vjeç) u vra në vend të punës, në lokalin “Check In” në Mitrovicë.
Vrasja e të riut ndodhi në natën e 5 majit rreth orës 21:30 në lokalin ku ai punonte si menaxher.
Fillimisht u tha se Ermali u vra për shkak të një rezervimi të një tavoline, mirëpo ky version nuk është thënë zyrtarisht, shkruan Gazeta Express.
Ermali, dyshohet se u vra nga Sadik Bajrami, 38 vjeç, nga Shipoli i Mitrovicës. Ai u qëllua me 3 plumba në kraharor.
Familjarët e të riut të vrarë, kanë thënë se organet kompetente kanë pasur fakte të mjaftueshme që ta kapin vrasësin.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës sot ka njoftuar se është ekstraduar nga Belgjika, Sadik Bajrami, i cili dyshohet se ka vrarë Ermal Kamberajt.
Sadik Bajramit i ngarkohen veprat penale “vrasje e rëndë, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa-autorizuar të armëve”.
Ndaj tij, ishte lëshuar fletërreshtim ndërkombëtar, i kërkuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.








