Eksplodimi në spitalin e Tetovës, Kurti: Jemi të gjithë me shpirt e zemër pranë Tetovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetaren e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pas rastit tragjik që ka ndodhur në spitalin e Tetovës, ku raportohet për disa persona të vdekur.

Siç njofton zyra e Kryeministrit, eksplodimi në spital, ka marrë jetën e shumë pacientëve.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti porsa zhvilloi sonte një bisedë telefonike me Kryetaren e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, për ngjarjen e rëndë në një spital modular atje. Eksplodimi i fuqishëm duket që ka marrë shumë jetë njerëzish, kryesisht pacientë. Kurti i shprehu ngushëllime Kryetares Arifi për këtë tragjedi dhe gatishmërinë për ndihmë, për çfarë Kryetarja Arifi e falënderoi kryeministrin. Lutemi që të ketë sa më pak viktima nga zjarri që po shkrumbon spitalin e Covid në Tetovë. Jemi të gjithë me shpirt e zemër pranë Tetovës, mjekëve e pacientëve”, thuhet në njoftimin e bërë nga zyra e Kryeministrit.