Eksperti irlandez e çmonton propagandën serbe, ia numëron Petkoviqit të gjitha rrenat sa i përket granatës në Kllokot

Policia Rajonale në Gjilan, ka njoftuar se ka pranuar një ankesë nga një person i nacionalitetit serb në Kllokot, se në oborrin e tij ka gjetur një mjet të dyshuar.

Sipas policisë, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një granatë dore, e vjetërsuar, e pashpërthyer dhe e siguruar me sigurisë.

Por këtë njoftim të Policisë së Kosovës nuk e ka pritur “kujdestari” Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ai ka reaguar disa orë para se këtë ta bëjë Policia e Kosovës.

Petkoviq përmes një postimi në Twitter është munduar që fajin t’ia hedh shqiptarëve dhe institucioneve kosovare, edhe pse granata as që ka shpërthyer, duke qenë me sigurisë.

Në postimin e tij, Petkoviq i referohet Mimoza Kusarit, shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, derisa ka shkruar se dialogu po zhvillohet që njerëzit në Kosovë të mund të jetojnë normalisht.

“Derisa ju po e rrënoni dialogun, serbëve në Kosovë po ju hidhen bomba në shtëpi. Këto janë pasoja të retorikës suaj antiserbe dhe hapave të njëanshëm”, ka shkruar ai.

Është e çuditshme se Petkoviq ka reaguar për granatën para 11 orësh, respektivisht pesë orë para se të deklarohet Policia e Kosovës. Dhe pikërisht për këtë nguti të qeverisë serbe që ta mjegullojë ngjarjen, ka shkruar një ekspert i njohur i sigurisë. Bëhet fjalë për ekspertin irlandez,  John Jackson. Duke e shpërndarë postimin e Petkoviq, Jackson e ka quajtur lajm të rremë raportimin e “drejtorit”.

“Edhe një incident ndëretnik i rremë u raportuar nga e ashtuquajtura ‘Zyre për Kosovën’. Por kësaj here ata i bënë dy gabime duke improvizuar incidentin: 1. Ata arritën nga Serbia në ‘vendin e krimit’, para Policisë së Kosovës. 2. Granata nuk mund të shpërthejë nëse ju nuk e hiqni siguresën”, ka shkruar Jackson.

Në një përshkrim tjetër të këtij “incidenti”, Jackson i drejtohet Petkoviq me ironi dhe shaka, derisa e përmend edhe shërbimin inteligjent serb: “… dhe siç mund ta dini ju, tregoni shërbimit inteligjent serb se granata nuk mund të shpërthejë pa ia hequr siguresën”.

Tutje ai shkruan, po ashtu duke e përmend në postim sërish Petkoviqin: “Si arritët ju në ‘vendin e krimit’ para policisë? Ju madje keni bërë fotografi nga ‘vendi i krimit’, duke e ‘shkatërruar’ ‘vendin e krimit’. Ju gënjeshtar të rrejshëm”.