Eksperti i sigurisë: Policët që hasën në eksploziv vepruan në mënyrë joprofesionale

Bedri Elezi, Drejtor për Siguri në Institutin për Studime Ndërkombëtare, ka komentuar rastin e vrasjes së policit, Sami Thaqi, përderisa ishte në krye të detyrës në fshatin Zhur të Prizrenit.

Ai në një intervistë në Sytë 7, ngriti dyshime për profesionalizmin e treguar nga zyrtarët policorë në rastin e lartcekur.

“Për ne ka qenë një rast shumë interesant ngase është vepruar në mënyrë jo profesionale. Ka shumë gjëra rreth këtij rasti që janë si në mjegull”.

“Nëse kemi raportim nga familja se ka pasur dhunë dhe ka mundësi që në katin e dyte të ketë edhe mjete apo armë për çfarë është raportuar, atëherë pse nuk është evakuuar familja ? Si kanë vepruar policët që nuk i përkasin njësisë përkatëse ? Nuk ka pasur nevojë të veprohet nga policët jokompetent ose joprofesional në aspektin e sigurisë, duke pas parasysh rrezikun të cilin mund ta shkaktojnë mjetet për të cilët ishte raportuar”.

Sipas tij nuk është respektuar puna profesionale e zyrtarëve policorë.

“Thjeshte çfarë ka kërkuar një polic i antidrogës në një vend ku është raportuar nga familja se mund të ketë mjete shpërthyese, armë apo diçka të ngjashme. Cila është detyra e tij? Nëse bazohemi në parimet dhe procedurat e Policisë së Kosovës kemi tejkalim të kompetencave”.

“Duhet të ketë hetim të mirëfilltë dhe duhet të vihen para përgjegjësi eventualisht, ata që i kanë lejuar këto lëshime. Qoftë në aspektin profesional, qoftë në aspekte tjera”.

Elezi tha se informacionet që ka dhënë Drejtori i Policisë Rashit Qalaj, lidhur me ketë ngjarje, ishin shumë konfuze.

Ai theksoi se jotransparenca nuk i ndihmon sigurisë në vend.