Eksperti i emergjencave: Edhe Kosova rrezikohet nga tërmetet

Përgjatë ditëve të fundjavës Shqipëria është përballur me tërmetin më të madh në 30 vitet e fundit. Përveç tërmetit 5.8 ballë të shkallës Rihter, ka pasur edhe disa tërmete më të vogla të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Përveç Shqipërisë, edhe në Kosovë të shtunën ka pasur lëkundje të tokës. Njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, ka thënë për Gazetën Express se edhe Kosova mund të jetë e rrezikuar prej tërmeteve.

“Duket pas parasysh pozitën gjeografike por dhe afërsinë e vendit tonë me shtetin shqiptar, atëherë edhe ne mundë të jemi të rrezikuar prej këtyre tërmeteve të cilat mund të godasin krejt papritur dhe pa paralajmërim dhe mund të shkaktojnë dëme materiale por edhe të rrezikojnë jetën e qytetarëve të Kosovës, edhe pse vendi ynë nuk rezulton se ka një aktivitet të lartë sizmik”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka treguar se cilat janë masat të cilat qytetarët duhet t’i marrin në raste kur shkaktohen dridhjet e tokës.

“Tërmetet nuk mund të parashikohen apo parandalohen, por ne mund të mësojmë se si të mbrohemi prej tyre dhe si duhet të veprojmë në raste të tilla, në mënyrë që pasojat të jenë sa më të vogla. Tërmetet mund të godasin krejt papritur dhe pa paralajmërim, e rëndësishme është që në dridhjen e parë mundësisht të merrni masa mbrojtëse”, ka thënë Ahmeti.

Më poshtë janë disa informacione bazike si duhet të veproni gjatë një tërmeti sipas Ahmetit:

Qëndroni poshtë dyerve

Kjo është një gjë që dihet, por gjithsesi që duhet edhe zbatuar. Gjatë një tërmeti, nëse ndodheni në një vend të mbyllur qëndroni poshtë dyerve dhe mundësisht afër një kolone betoni. Edhe trarët e çative ju mbrojnë nga një shembje e mundshme.

Futuni poshtë tavolinës

Gjatë tërmetit është e rrezikshme të qëndroni pranë objekteve që lëvizin, pasi mund t’iu bien sipër, kështu që mund të futeni edhe poshtë tavolinës.

Mos vraponi drejt shkallëve, apo ashensorit

Në të vërtetë shkallët janë pjesa më e dobët e një ndërtese, por nga frika njerëzit tentojnë të dalin menjëherë nga banesa. Madje edhe ashensori nuk duhet të përdoret pasi bllokohet.

Largohuni nga objektet në ndërtim

Nëse gjatë kohës së tërmetit ndodheni jashtë, mos qëndroni afër objekteve në ndërtim, apo dhe linjave elektrike, pasi mund të bien dhe tu zënë poshtë.

Qëndroni larg liqeneve, plazheve dhe urave

Gjatë tërmetit dhe minutat pas lëkundjeve, largohuni nga brigjet e liqeneve apo plazhet, pasi mund të ketë një rritje të intensitetit të valëve, në atë që zakonisht quhet cunami. Nëse jeni në automjet shmangni qëndrimin në ura apo rrugë të paqëndrueshme.

loading…