Eksperti i çështjeve të emergjencave tregon si duhet të veprohet në rast të vërshimeve

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të rajonit.

Këto vërshime dhe përmbytje, kanë prekur disa vende të Shqipërisë dhe Serbisë, ndërsa Kosova ka më pak mundësi të ketë vërshime të dendura.

Njohësi i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh bashkëthemeluesi i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, Tahir Ahmeti, ka thënë për Ballkani.info se në vendin tonë ka mundësi për vërshime të shpejta si pasojë e reshjeve të shiut.

“Vërshimet e shpejta janë shumë të mundshme në vendin tonë si pasojë e reshjeve të shiut, duke i shtuar kësaj edhe degradimin e lumenjve atëherë këto vërshime bëhen edhe me të mundshme dhe mund të shkaktojnë dëme në prona apo fusha bujqësore”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, ai ka thënë se institucionet duhet që në mënyrë konstante të punojnë në Pastrimin e lumenjve dhe rregullimin e shtretërve të tyre, në mënyrë që uji të mos del nga shtrati dhe të shkaktojë përmbytje.

“Në rast se ka vërshime, institucionet përgjegjëse qoftë ato lokale apo qëndrore, duhet që të krijojnë shtabet e krizave, në mënyrë që të përballohen më lehtë vërshimet e mundshme dhe t’iu dilet në ndihmë qytetarëve në rast nevoje”, ka përfunduar Ahmeti për Ballkani.info.

Kujtojmë se këtë javë është parashikuar mot jo stabil në vendin tonë, me reshje shiu dhe temperature të ulëta. /Ballkani.info