Eksperti i Ballkanit: Ja çka i mungon Kosovës, prandaj edhe po ndodhin disa gjëra

Eksperti për Ballkanin, Florian Bieber, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se aktakuza e paraqitur nga Zyra e Prokurorit Special, kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nuk ka qenë befasi për të. Ai beson se problemi i Kosovës është që në tavolinën negociuese nuk ka një bashkëbisedues të fortë, derisa beson se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë ndërhyrë njëra-tjetrës në procesin dialogues mes Kosovë​s dhe Serbisë​. Sa i pë​rket Beogradit, Bieber beson se ai mund të jetë i kënaqur me zhvillime e fundit.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë menduat fillimisht kur mësuat për lajmin e aktakuzës kundër Thaçit dhe Veselit?

Florian Bieber: Nga njëra anë nuk ishte befasi. Ne e dimë – kam pritur njëfarë aktakuze kundër Thaçit që një kohë të gjatë, sepse kjo gjë po qarkullonte në ajër në shumë mënyra. Sigurisht, koha, kjo ishte befasia më e madhe, sepse ishte vetëm tri ditë para samitit. Kështu që, goditja ishte më e vogël nga ajo që ndodhi tani, në të vërtetë. Kjo ishte befasia më e madhe e cila tërhoqi vëmendjen time.

Radio Evropa e Lirë: Thaçi dhe as kryeministri Hoti nuk do të marrin pjesë në takimin në Uashington? A është kjo një goditje vdekjeprurëse ndaj atij procesi? Procesit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara?

Florian Bieber: Mendoj që po. Nuk do të kishte kuptim që kryeministri (i Kosovës) të shkonte dhe të bisedonte me presidentin (e Serbisë), është një lloj asimetrie aty. Tashmë është një marrëdhënie shumë asimetrike, sepse në njërën anë kemi një president (në anën tjetër).. keni një kryeministër shumë të dobët, i cili, ka shumicë shumë të vogël në parlament derisa presidenti është shumë i fuqishëm me një lloj mbizotërimi politik. Pra, kjo do ta bënte shumë të vështirë krijimin e një dialogu domethënës dhe tani mendoj se ajo që vërtetë është e paqartë është baza e bisedës, sepse nuk e dimë se cili do të jetë pozicioni i Thaçit? A duhet të japë ai dorëheqja? Nëse po, kush do ta zëvendësojë? Sepse, natyrisht kryeministri dhe i tërë procesi i Kosovës është nxitur nga vetë Thaçi dhe ekziston mbështetje e kufizuar përtej tij. Kështu që unë mendoj se nuk ka të bëjë vetëm me pjesëmarrjen personale në Samitin e Uashingtonit, por ka të bëjë edhe me faktin se nëse ka ndonjë bashkëbisedues nga pala kosovare për të çuar përpara procesin e udhëhequr nga Amerika.

Radio Evropa e Lirë: A mundëson kjo gjë potencialisht rritjen e aktivitetit nga ana e Bashkimit Evropian, apo çështja e udhëheqësisë së Kosovës është e pakapërcyeshme për këdo që përpiqet të ndërmjetësojë?

Florian Bieber: Mendoj se Bashkimi Evropian është përpjekur të marrë përsipër një rol aktiv në negociata dhe (i dërguari i BE-së për diaogoun, Mirosllav) Lajçak ishte duke zhvilluar bisedime me politikanët e të dyja kryeqyteteve dhe ishte duke përgatitur këtë dialog. Ne ende nuk e dimë saktësisht formatin, por është e qartë se ai ishte duke u përgatitur për të. Para se Thaçi të paditej, ne kishim një lloj pritjeje nga (i dërguari i SHBA-së për dialogun, Richard) Grenelli dhe thoshim se ai nuk po mendonte për përparim të madh në bisedime, por për njëfarë lloj përqendrimi në ekonomi, gjë për të cilën tashmë ai bëri një hap prapa, me siguri jo sepse donte, por sepse e kuptoi që nuk mund të arrinte marrëveshje. Kështu që SHBA-të më pas janë përfshirë, por përsëri dua të them që pa mbështetjen e SHBA-së do të jetë e vështirë për BE-ne që të ketë një marrëveshje. Gjithashtu, Bashkimi Evropian është në një pozitë të vështirë për momentin sepse siç e dini është i favorizuar qartë nga qeveria e Albin Kurtit, e cila tashmë është rrëzuar, gjithashtu nuk e di nëse e dini se pala kosovare ka një mungesë të një bashkëbiseduesi të fortë gjë e cila mbetet problem. Kështu që unë do të pres që BE-ja do të marrë më shumë kohë, por sigurisht që do të përpiqet të marrë përsipër një rol të rëndësishëm në tërë këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Më lejoni të kthehem te pyetjet sa i përket njoftimit. Siç e thatë edhe ju, të gjithë duket se janë befasuar nga koha, për diçka që është krijuar në muajin prill. Është disi e pazakontë që në njoftim të bëhen publikë emrat, apo jo? Çfarë mendoni për kohën dhe faktin se një gjykatës i procedurës paraprake është duke analizuar aktakuzën.

Florian Bieber: Ajo që dimë është se deklarata është detyruar nga Zyra e Prokurorit, ose të paktën kështu duket- ai ndjeu se kjo deklaratë duhet të bëhet publike, sepse aktakuza mund të shmangej ose mund të kishte presion nga të dy të paditurit ose ndoshta nga dikush tjetër. Pra, ne nuk e dimë, por mund të ketë pasur lidhje me samitin, në aspektin që ndoshta mund të ketë pasur përpjekje të Thaçit për të siguruar imunitet, mbrojtje nga aktakuza përmes këtij procesi. Ne ende duhet të mësojmë se çfarë ka ndodhur aty. Por, me siguri mund të sugjeroj që mund të ketë qenë njëfarë lidhje e vërtetë në mes të këtyre dyjave.

Radio Evropa e Lirë: A keni dëgjuar ndonjë sqarim më të besueshëm sa i përket kohës, të cilit besoni se duhet kushtuar vëmendje?

Florian Bieber: Mbështetja e Thaçit për ndryshimet e kufijve dhe gjithë mënyra sesi ai po udhëhiqte dialogun për dy vitet e fundit, bën me dije për qëllimin e tij personal për mbijetesë politike, sepse ju e dini, njerëzit kanë pritur aktakuzë që një kohë të gjatë kohore ose se ai do të implikohej në një mënyrë ose tjetrën. I gjithë ky proces duket se është nxitur nga interesi i tij personal për të mbrojtur veten e tij. Kjo gjë saktësisht nënkupton- idenë e mbrojtjes së vetvetes, në atë se ai mund të ketë imunitet në çfarëdo lloj aktakuze, dhe asnjëra nga këto nuk dukej e qartë, por sigurisht që dukej si strategjia kryesore. Pra nga ky këndvështrim, është diçka që nuk ishte e papritur. Është spekulative ajo se çfarë ka ndodhur prapa skenave, por është e kuptueshme se ky mund të ketë qenë një shqetësim i vërtetë i prokurorisë, për atë që mund të kishte ndodhur, nëse ai do të kishte shkuar, dhe sigurisht pasi që aktakuza është bërë publike është shumë e vështirë të vazhdohet me një proces të rregullt. Por, detajet specifike askush nuk i di, përveç atyre që janë të përfshirë dhe unë nuk do të doja të spekuloja përtej kësaj.​

Radio Evropa e Lirë: Nëse ju kuptova saktë thatë se Evropa është nën presion më të vogël kohor, për shkak të arsyeve të brendshme. Tani edhe zgjedhjet e SHBA-së po afrohen. Por a besoni se ata do të tentojnë të marrin më shumë iniciativa, apo do të tentojnë të çojnë përpara ide që mund të ndikojnë në marrëveshje apo normalizim të procesit?

Florian Bieber: Unë mendoj se në njëfarë mase, Amerika dhe Evropa kishin ndërhyrje te njëra tjetra, dhe kjo gjë u ka mundësuar të dy presidentëve që të veprojnë kundër njërës palë duke mos u përkushtuar plotësisht te ndonjëra. Pra, ekzistimi i një rruge paralele apo një tjetër rrugë të veçantë, ka dëmtuar përpjekjet evropiane. Ajo ka pasur paketë të madhe për të ofruar, perspektivën evropiane, zhbllokimin e mosnjohjes së pesë shteteve dhe vendeve anëtare të BE-së. Pra, BE-ja ka pasur gjithmonë mundësi më të mëdha të ofrimit. Mirëpo ajo thjesht e ka humbur kontrollin mbi këtë gjë vite më parë, kur Mogherini nuk ishte mjaftueshëm e përgjegjeshme për këtë gjë. Por, tani është një shans për të rifituar kontrollin dhe një kohë e mirë në kuptimin, për atë që Lajçak po merr përsipër procesin dhe po fillon të krijojë një rrugë përpara. Por, përsëri BE-ja ka qenë gjithnjë e më shumë e orientuar drejtë proceseve, sesa Shtetet e Bashkuara. Nuk është në natyrën e saj të grushtojë tavolinën dhe të thotë ‘kjo është ajo që duhet të bëhet”. Prandaj do të jetë një proces i ngadalshëm. Mirëpo kjo është mundësi që BE-ja të kthehet në karrigen e drejtuesit, nëse mund të them ashtu.

Radio Evropa e Lirë: A nuk është dëshpëruese për këdo që dëshiron të shoh përparim? Ju e përmendët Grenellin, që ka tentuar të thjeshtojë gjërat dhe të arrijë diçka konkrete në aspektin ekonomik. Prandaj, a nuk i dëshpëron ata, kur shohin se edhe këto synime të kufizuara mund të dëmtohen?

Florian Bieber: Mund të them se çdo përparim, çdo marrëveshje është hap pozitiv dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për bashkëpunim ekonomik. E kam fjalën për përpjekjen e Grenellit edhe pse ajo dështoi – ju e dini para së gjithash, aktakuza nuk kishte të bënte fare me përpjekjen e tij. Por, përpjekja e tij varej shumë nga dy presidentët. Kjo natyrisht, gjithmonë është bazë problematike për negociatat. Ai ishte shumë i përfshirë në sabotimin e qeverisë së mëparshme të Kosovës, e cila kishte një mandat politik shumë të gjerë sa i përket mbështetjes elektorale. Pra, në një mënyrë është fatkeqësi e tij- sepse nuk arriti që të bënte përfshinte të gjithë akterët politikë të Kosovës, duke u fokusuar në vetëm njërën anë, në këtë rast të Thaçit. Dhe kjo gjë natyrisht se e ka bërë procesin më të ndjeshëm, sepse ka qenë e qenë e qartë se ky person politikisht, ndoshta për të shkak të së kaluarës, është më i prekshëm, andaj ai ka rrezikuar që të ketë një aktor të dobët në Kosovë, i cili do të pajtohej për shumë gjëra, për të cilat të tjerët nuk do të pajtoheshin. Por arsyeja pse ai do të pajtohej është për shkak të dobësisë që ka, çka krejt në fund e ka dështuar procesin. Unë mendoj se në njëfarë mënyre ishte një qasje e keqe ndaj këtij lloji të “normalizimit”. Nëse do të kishte një proces të mirëfilltë, do të duhej të kishte bazë të mbështetjes së akterëve të përfshirë, veçanërisht kur ekziston një asimetri. Në Kosovë politika është e fragmentuar dhe pluraliste ndërsa në Serbi është monolite për momentin, gjë e cila tregon se keni një partner shumë të dobët nga njëra anë, dhe në anën tjetër një shumë të fortë, dhe kjo nuk është taktikë e mirë negociuese.

Radio Evropa e Lirë: Doja të ju pyesja për Beogradin. Kjo ishte ndoshta koha më e mirë për t’u përpjekur për të arritur një marrëveshje, sepse ata duket se kanë një justifikim shumë të fortë tani dhe pozicion për të bërë pazare. Nëse gjërat ngecin ashtu siç janë tani, a mund parashikoni zhgënjim nga pala e Beogradit?

Florian Bieber: Unë kurrë nuk kam qenë i sigurt nëse Serbia kishte interes për një zgjidhje. Besoj se qeveria e saj mezi priste sinjalizim për të pasur zgjidhje sepse në këtë mënyrë siguron mbështetjen e jashtme nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Por, e dini se një status quo i shërben mjaft mirë Serbisë. Para së gjithash ai (presidenti serb, Aleksandar Vuçiq) nuk ka më nevojë që të shesë diçka para institucioneve të brendshme, ndonëse tani është në pozitë aq dominante, saqë edhe do të mund ta bënte një gjë të tillë dhe tani është në pozitë perfekte për të fajësuar Kosovën, për dështimin e bisedimeve. Pra, ai mezi pret që të tregojë së nuk është përgjegjës, sepse kjo do ta dëmtonte atë, perspektivën drejt BE-së dhe pranimin e tij nga akterët e jashtëm. Tani ai mund të vazhdojë dhe të deklarojë se është i gatshëm, por se pala tjetër nuk është partner i besueshëm. Kështu që unë nuk mendoj se ai do të zhgënjehet nga ky rezultat. Unë mendoj se do të jetë ndoshta mjaft i lumtur.