Eksperti gjerman: Beogradi po bën luftë hibride ndaj Kosovës, forcat e KFOR-ut u sulmuan edhe nga agjentët e BIA-s serbe

Eksperti gjerman Konrad Clewing thotë se Beogradi po bën luftë hibride ndaj Kosovës.

Clewing për Deutsche Welle pohon se presidenti serb Aleksandar Vuçiq tani po e ripërdor Kosovën për të zbutur ose për të anashkaluar protestat e brendshme kundër tij.

Sipas tij, fuqitë e Perëndimit duhet të dërgojë sinjale të qarta politike në rajon dhe se Kosova nuk duhet të dobësohet në perspektivën e saj euroatlantike.

Situata në veri te Kosovës nuk po shtensionohet. Serbia mban në arrest tre policë kosovarë, që sipas Kosovës janë rrëmbyer nga territori i saj, ndaj policisë kosovare ka sulme, ndërkohë që njerëzit prej disa ditësh nuk mund të qarkullojnë të lirë në kufirin Serbi-Kosovë. Sa shqetësuese janë tensionet aktuale?

Janë shqetësuese, pasi shikon se si Vuçiq tani po e ripërdor Kosovën për të zbutur ose për të anashkaluar protestat e brendshme kundër tij. Mbetet për t’u parë nëse do t’ia dalë.

Shqetësues është edhe fakti që Perëndimi kohët e fundit ka mbajtur qëndrim të njëanshëm, në anën e Serbisë, edhe pse forcat e NATO-s në veri të Kosovës (konkretisht në Zveçan) nuk u sulmuan vetëm nga përfaqësuesit e popullsisë lokale, por edhe nga agjentët e Shërbimit Sekret serb (BIA) dhe policia. Perëndimi heshti për një kohë për arrestimin e tre policëve kosovarë dhe deri tani nuk e ka dënuar ashpër këtë veprim.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në fillim të javës se aleanca mund të ndërmarrë hapa të tjerë, nëse është e nevojshme. A mund të ndodhë që në veri të vendit të krijohet e ashtuquajtura “Republika e KFOR-it”, për të përdorur një term të kryeministrit shqiptar Edi Rama?

Kjo është një përzgjedhje fjalësh që vjen nga imagjinata e fryrë e Ramas. Sigurisht, nuk do të ketë “Republikë të KFOR-it” në veri. Nuk mendoj se KFOR-i do të dëshironte të merrte përsipër një mision që është i dënuar të dështojë. KFOR-i nuk dëshiron të dërgojë aty mijëra ushtarë e të bllokohet duke u marrë me çështje të përditshme policore. Por do të ishte shumë e arsyeshme nëse prania ndërkombëtare në veri të Kosovës do të rritej, nëse EULEX-i dhe KFOR-i – ngjashëm me atë që ndodhi në Sllavoninë Lindore nga viti 1995 deri në 1998 – të marrë në dorë për një farë kohe administrimin e veriut të Kosovës.

Kjo do t’i jepte fund vakuumit të pushtetit në veri të Kosovës dhe nuk do të lejonte që Serbia ta mbushte atë. Kjo e fundit do të ishte e dëmshme jo vetëm për veriun e Kosovës, por mbi të gjitha për Kosovën në tërësi, sepse për momentin nuk mund të parashikohet se deri ku dëshiron të shkojë Serbia. Për një kohë të gjatë mendohej se ajo synonte vetëm veriun e Kosovës. Tani kam dyshime serioze për këtë.

Cilat janë shkaqet që ju bëjnë dyshues?

Ka shumë tregues që më bëjnë të dyshoj. Refuzimi që i bëri Vuçiqi nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe synimi i Serbisë për t’i dhënë formë autonomie Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Veç kësaj, prej më shumë se një viti qeveria serbe dhe mediet serbe që ajo kontrollon e kanë ashpërsuar thellësisht retorikën e tyre.

Nuk flitet më për të drejtat e serbëve, por për gjoja “terror” sistematik që po ushtrohet ndaj serbëve nga ana e autoriteteve të Kosovës. Edhe Kosova vetë po delegjitimohet sistematikisht. Qeveria e Beogradit dhe mediet e saj tani përdorin vazhdimisht termin “të ashtuquajturat” autoritete të Kosovës dhe Kosova rishkruhet në citime si “Kosova dhe Metohija” ose “KiM”. Këto janë terma tërësisht revizioniste dhe luftënxitëse.

Dhe nga muaji shkurt e këtej, pra, që kur u nënshkrua marrëveshja, kjo gjuhë sa ka ardhur e duke u përkeqësuar. Serbia përpiqet t’i anatemojë në media përfaqësuesit e Kosovës në dialog, kështu që një konsumatori të medieve serbe mund t’i lindë pyetja se si mund të pretendosh të biesh dakord e të ulesh në biseda me kosovarët. Ekziston vetëm një arsye pse ky revizionizëm nuk ka shans të kthehet në luftë: Kjo është prania e KFOR-it. Por fakt është që Beogradi aktualisht po bën një luftë hibride.

Nëse është kështu, pse SHBA dhe BE po i bëjnë presion Kosovës?

Mund ta shpjegoj me tre pika. Së pari, aleatët e mëdhenj të Kosovës – SHBA dhe BE – janë seriozisht të pakënaqur që nuk po gjejnë tek udhëheqja aktuale e Kosovës atë bindshmëri që e kanë gjetur në qeveritë e mëparshme. Dashur pa dashur, kjo është pjesë e traditës diplomatike mes fuqive të mëdha dhe shteteve më të vogla dhe ka logjikën dhe peshën e vet.

Pika tjetër është se shumë aktorë perëndimorë ende besojnë se Serbia është lojtari kryesor në Ballkan, veçanërisht duke pasur parasysh kërcënimet që vijnë nga Rusia në drejtim të Evropës Lindore. Por se si mund të besohet seriozisht se pikërisht një vend, i cili lëkundet prej kohësh midis Lindjes dhe Perëndimit, mund të shërbejë vërtet si stabilizues, nëse nuk e kritikon, ky është një mister i madh për mua.

Perëndimi këtu po i bën llogaritë gabim. Pika e tretë ka të bëjë me sjelljen e qeverisë së Kosovës, e cila, jo vetëm që nuk e koordinoi me aleatët operacionin policor rreth bashkive në veri të Kosovës, por përkundrazi e informoi KFOR-in vetëm pak kohë më parë për operacionin. KFOR-i u detyrua kësisoj të përfshihej në një operacion pa dëshirën e tij. Nuk është çudi që perëndimorët dhe aleatët e Kosovës ta shohin këtë si provokim.

Çfarë duhet të ndodhë tani që të ketë një shtensionim?

Perëndimi duhet të dërgojë sinjale të qarta politike në rajon. Ndryshe nga sa thonë amerikanët javët e fundit, Kosova nuk duhet të dobësohet në perspektivën e saj euroatlantike, por të forcohet. Përveç Serbisë, nuk ka dyshim se edhe Kosova duhet të tregohet më pragmatike. Sidomos duke prezantuar një koncept realist për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Ky koncept është urgjent jo vetëm për një shtensionim akut, por edhe si një gjest afatgjatë ndaj minoritetit serb, do të stabilizionte statusin e Kosovës si shtet, por do të ishte edhe një investim në opinionin publik serb të së ardhmes, i cili përfaqësohet sot në protestat kundër qeverisë në Beograd. /Deutsche Welle/